Protesta e mbrëmshme në Tiranë, ishte një tjetër dëshmi e tensionit të thellë që ka pllakosur shoqërinë shqiptare. Në tubimin e 94-t kundër qeverisë, protestuesit ndryshuan skenarin e zakonshëm dhe u përpoqën të rrethonin Kryeministrinë, ndërsa kryeministri Edi Rama ndodhej brenda godinës.
Përplasjet me policinë, përdorimi i gazit lotsjellës dhe shoqërimi i 11 protestuesve e zhvendosën revoltën më pas edhe para komisariateve. Nuk është e thënë që çdo protestues ka të drejtë në çdo kërkesë apo se çdo veprim gjatë një tubimi duhet justifikuar.
Por një gjë është e padiskutueshme: kur një pjesë e qytetarëve proteston prej muajsh kundër qeverisë dhe kërkon largimin e kryeministrit, politika nuk mund të përgjigjet pafundësisht vetëm me heshtje, kordone policore dhe forcë.
Pikërisht këtu bëhet i dukshëm kontrasti me Britaninë. Keir Starmer po largohet edhe nga parlamenti britanik, pak kohë pasi dha dorëheqjen si kryeministër.
Ai bëri gabime, humbi mbështetje dhe e pagoi çmimin politik. U largua, pa e paraqitur veten si shpëtimtar të kombit, pa pretenduar se ikja e tij do ta çonte vendin drejt katastrofës dhe pa e kthyer humbjen personale në krizë kombëtare.
Dhe kjo është në fakt politika në një demokraci normale. Një politikan ngjitet në pushtet, qeveris, fiton ose humbet dhe largohet kur përfundon cikli i tij. Institucionet mbeten, shteti vazhdon funksionimin dhe jeta politike ecën përpara.
Në Shqipëri, dorëheqja vazhdon të shihet ndryshe. Ajo trajtohet si dobësi, kapitullim ose fundi i gjithçkaje. Kryeministri nuk shihet thjesht si një funksionar i përkohshëm, por shpesh si figura pa të cilën sistemi nuk mund të funksionojë.
Edi Rama është shembulli më i qartë i këtij personalizimi të pushtetit. Pas më shumë se një dekade në krye të qeverisë dhe tashmë në mandatin e katërt, ai është kthyer në figurën dominuese të sistemit politik shqiptar.
Çdo debat për qeverinë përfundon te Rama dhe çdo kërkesë për largimin e tij, paraqitet pothuajse si një kërcënim për stabilitetin e vendit.
Por këto qëndron problemi. Një shtet që identifikohet me një njeri nuk është i fortë. Një demokraci ku largimi i liderit paraqitet si rrezik kombëtar,, ka ndërtuar në të vërtetë institucione të dobëta dhe një pushtet tepër të personalizuar.
Rreth qeverisjes së Ramës janë grumbulluar ndër vite akuza, hetime dhe dyshime për korrupsion dhe klientelizëm. Përgjegjësitë individuale duhet t’i përcaktojë drejtësia, por kritika nuk mund të zhduket duke e quajtur çdo kundërshtar armik të Shqipërisë.
Sa më gjatë që një politikan qëndron në pushtet, aq më shumë pushteti bëhet pjesë e identitetit të tij. Dhe aq më e frikshme bëhet dita kur duhet të largohet.
Starmer u largua nga drejtimi i vendit dhe Britania nuk hyri në kolaps. Ky është mësimi që Shqipëria ende nuk e ka kuptuar plotësisht. Kryeministri është i përkohshëm, shteti është i përhershëm.
Asnjë mandat nuk e bën një politikan të pazëvendësueshëm dhe asnjë shumicë nuk e kthen atë në pronar të shtetit. Largimi i një udhëheqësi nuk është fundi i vendit. Në një demokraci të vërtetë, është thjesht fundi i një epoke dhe fillimi i një tjetre. \tesheshi.com\










