Nga Sinan Kërpaçi
Nuk të thirra kurrë me emrin e plotë,
ruajta të kujtimeve, ruajta “Jevi”,
atë të fëmijërisë
kur rriteshim bashkë në jetë
pa njohur mungesë një ditë.
Unë të thirra “Jevi” një vit më herët,
ti me shpirt ma fole emrin një vit më pas.
Dhe gjithnjë të Dy,
gjithnjë bashkë,
fëmijë që e ndanim bukën me zogjtë
pa u menduar gjatë.
I numëruam yjet me gisht të Dy:
njërit i dilnin më shumë e tjetrit më pak,
me zile, çokane dhe këmborë
rendëm kodër më kodër
sa u kthyem edhe vetë në melodi,
ti ishe bilbili i këngës, unë ai që të bëja iso,
të merrja pas për të mbetur Dy.
Nga ajo maja e vendlindjes e pamë detin
dhe u mrekulluam shumë,
ti the i pari: sa t’i zbresim malit
dhe do ulemi te Guri i Gjatë
t’i bëjmë lumit pritë
për të pasur edhe ne detin tonë
si ky që na mahniti nga larg.
U lamë të Dy atje me vite fëmijërie
veshur me kostumin bronx të diellit,
veshur me kostumin e nënës
gjersa u rritëm si pemët,
ku unë gjithnjë e më shumë të thërrisja “Jevi”,
ti gjithnjë e më shumë më thërrisje në emër.
Edhe te dhimbja e madhe në qiparisa
nuk ta fola emrin të plotë,
se kur vazhdoj e të thërras “Jevi”
unë nënkuptoj lis,
nënkuptoj rrap,
nënkuptoj majë,
nënkuptoj bujan,
nënkuptoj zog
dhe vazhdoj rritjen me Ty.
Jevi – të Dy.
Londër, gusht 2026

































