Home KRYESORE Vetëbesimi, testi më i rëndësishëm për të rinjtë

Vetëbesimi, testi më i rëndësishëm për të rinjtë

Nga Alma Lleshi

Ka disa momente të vogla të cilat edhe pse zgjasin pak sekonda, të mbeten gjatë në mendje. Dy ditë më parë me kapi syri një të ri që sapo kishte përfunduar testimin për të vijuar studimet në Mjekësi. Në vend të ankthit, pasigurisë apo frikës që zakonisht shoqërojnë një provim, ai tha me qetësi e pak fjale se besonte se do ta fitonte!
Dy fjalë, pas të cilave lexova shumë. Ai djale kishte besim tek vetja. Dhe…ndoshta ndoshta kjo është një nga gjërat më të çmuara që mund të kenë të rinjtë sot. Pasi një i ri që beson tek vetja mund të mos jetë ai që mendon se do t’i fitojë të gjitha, por ama është ai që ka besimin se mund t’i përballojë edhe humbjet, vështirësitë, dështimet dhe sfidat. Fëmijët tanë, të rinjtë, përballen çdo ditë me presionin për të qenë perfektë, me krahasime të pafundme, me frikën e dështimit dhe me një botë që shpesh u thotë se nuk janë mjaftueshëm të mirë. Prandaj, ne këte pikë vetëbesimi kthehet në një lloj force. As arrogancë e as mendjemadhësi. Sepse arroganca të bën të mendosh se je më i mirë se të tjerët, ndërsa vetëbesimi të bën të kuptosh se mund të jesh i mirë pa pasur nevojë të nënvlerësosh askënd tjetër. Dhe ndaj qetësia e atij të riu më bëri të mendoj se ne si shoqëri duhet t’u kërkojmë më pak të rinjve të jenë të përsosur e t’i ndihmojmë më shumë të besojnë tek vetja. T’u themi se një rezultat nuk përcakton vlerën e tyre, senjë provim nuk vendos fatin e gjithë jetës. Se mund të rrëzohen dhe përsëri të ngrihen, se mund të mos fitojnë një konkurs dhe përsëri të kenë shumë rrugë përpara. Kjo ngaqe nje diplomë mund të hapë një derë, por vetëbesimi të jep kurajën për të trokitur në shumë dyer të tjera.
Dhe ky mund të jetë një nga testet më të rëndësishme që duhet të kalojnë ata e të besojnë se ia vlen ta provojnë, të punojnë, të ëndërrojnë e të ecin para. Prandaj vertet, ajo që më pëlqeu më shumë tek ai djalë nuk ishte se sa mirë ekishte bërë testimin.Ishte mënyra sesi foli, me qetësi e siguri. Ndaj me shumë besim tek të rinjtë, më shumë shpresë sepse edhe bota që shpesh ua përplas fytyrës pamundësinë, do habitej teksa një i ri i pohon vetes pa ndrojë se po, ai mundet!!

Share: