Home KRYESORE Rikthimi te Lapsi dhe Letra… Një Akt Humanizmi në Epokën Digjitale

Rikthimi te Lapsi dhe Letra… Një Akt Humanizmi në Epokën Digjitale

( Braktisja e shkrimit me dorë po zbeh jo vetëm aftësitë e fëmijëve tanë, bota po humb edhe durimin vlerat më të vyera njerëzore.)

Nga Jeta Bushi

Shkrimi me dorë ka qenë gjithmonë gjurma e parë e identitetit dhe e shpirtit të një fëmije mbi letër. Mirëpo, shtatori i sotëm nuk mban më aromën e fletoreve të virgjëra, por dritën artificiale të monitorëve. Ky dixhitalizim i vrullshëm dhe i parakohshëm po kryen një krim të heshtur…
…po pasivizon trurin e një brezi të tërë dhe po zbeh aftësitë bazë të komunikimit, duke na kujtuar se teknologjia po na largon nga vlerat tona më të shtrenjta njerëzore.”

Dixhitalizimi i parakohshëm po zbeh aftësitë bazë të komunikimit, duke ushqyer një analfabetizëm funksional që prek thelbin e formimit të njeriut.
Gjithnjë e më shumë po shohim nxënës që ulen në bankat e shkollës pa zotëruar rregullat më elementare të gjuhës amtare. Ata shpesh nuk e dinë se si fillon një fjali, ndërsa shkrimi i tyre është shndërruar në një kaos vizual shkronjash të mëdha e të vogla.
Ky nuk është thjesht një pakujdesi mekanike.
Ky është rezultati i drejtpërdrejtë i një truri të pasivizuar nga teknologjia, ku korrigjimi automatik mendon në vend të fëmijës, duke i hequr atij mundësinë për të reflektuar mbi gabimin.

Të shkruash me dorë është një vlerë e thellë njerëzore.
Kur një fëmijë mban lapsin në dorë, ai nuk po hedh thjesht bojë mbi letër; ai po zhvillon motorikën, përqendrimin dhe, mbi të gjitha, durimin .. një vlerë që po zhduket në kohën tonë.
Letra pranon vetëm atë që lind nga mendimi i sinqertë dhe durimi. Le të mos lejojmë që shpejtësia e një ekrani të vrasë thellësinë e shpirtit njerëzor.
Letra kërkon respekt dhe mendim të paramenduar sepse gabimi aty nuk fshihet me lehtësinë e një butoni “backspace”.
Sot, kultura e shpejtë e “copy-paste” dhe detyrat e printuara gati nga prindërit po rrisin një brez që po humb lidhjen fizike dhe organike me gjuhën, duke zëvendësuar krijueshmërinë me automatizmin.
Mendoj se …
….Shkolla duhet të jetë një tempull ku mbrohet njerëzorja dhe dija tradicionale. Mësimet dhe detyrat në kompjuter për klasat fillore dhe ato të mesme duhet të minimizohen ose të ndalohen plotësisht. Mendoj se është koha të ndalemi dhe të kuptojmë se po rrisim fëmijë që po humbasin aftësinë për të komunikuar bukur, saktë dhe me shpirt. Kthimi te lapsi dhe letra nuk është prapambetje…. është një akt shpëtimi për mendimin kritik, kulturën dhe vetë humanizmin tonë.

Sepse në fund të fundit, lapsi nuk shkruan thjesht fjalë mbi letër; ai gdhend mendimin në shpirt.
Të mbrojmë shkrimin me laps e letër do të thotë të mbrojmë vetë njeriun, përpara se ekrani të fshijë krejtësisht gjurmët e vërteta njerëzore.

              Jetina Bushi !
Share: