Legjendat e Flamurtarit rikthehen në Athinë, një takim me historinë dhe krenarinë shqiptare!

6 Shtator 2026, 11:24Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një ditë e veçantë pritet të jetë kjo e shtunë për komunitetin shqiptar në Athinë.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi do të presë në një takim miqësor ekipin e veteranëve të Flamurtarit, një skuadër që, në vitet e errëta të komunizmit, bëri të ëndërronin dhe të ndiheshin krenarë shqiptarët kudo që ndodheshin.

Pas këtij takimi, veteranët e Flamurtarit do të zhvillojnë një ndeshje miqësore me ekipin e Shoqatës së Veteranëve të Apollonisë së Athinës.

Përballja pritet të shndërrohet në një festë të vërtetë sportive, por edhe në një mundësi për të rikujtuar vitet e arta të futbollit vlonjat.

Në fushë do të rikthehen disa prej emrave që kanë mbetur të skalitur në kujtesën e tifozëve dhe të sportdashësve shqiptarë:

Vasil Rusi, Luan Birçe, Eqerem Memushi, Kreshnik Çipi, Rrapo Taho, Roland dhe Gjergji Iliadhi, Përparim Lushaj, Latif Gjondeda dhe Anesti Arapi.

Përballë tyre do të jenë veteranët e asaj periudhe të futbollit të Apollonisë së Fierit, duke i dhënë kësaj ndeshjeje një dimension të veçantë nostalgjie dhe respekti për brezat që i dhanë shumë sportit shqiptar.

Por aktivitetet nuk do të mbyllen me ndeshjen.

Në mbrëmje është organizuar edhe një mbrëmje festive, ku do të ketë pjesëmarrje artistike nga tenori Josif Gjipali dhe këngëtari Artur Dhamo, aktualisht drejtor i Teatrit “Petro Marko”.

Kjo ditë në Athinë do të jetë më shumë se një ndeshje futbolli.

Do të jetë një rikthim te kujtimet, te emocionet dhe te një epokë kur emri i Flamurtarit të Vlorës ishte një burim krenarie për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.

Legjendat rikthehen në fushë, ndërsa historia vazhdon të jetojë në kujtesën e brezave.


Video