“Frashëri, vend i kujtesës kombëtare”, Begaj rikujton mesazhin e Naimit për brezat e ardhshëm nga shtëpia e vëllezërve Frashëri
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në 245-vjetorin e themelimit të Teqesë së Frashërit. Para besimtarëve bektashinj, të cilët 5 shtatorin e kanë ditë pelegrinazhi, Presidenti Begaj nderoi vëllezërit Frashëri dhe kujtoi vlerat historike të kësaj teqeje për përhapjen e dijes, për ruajtjen e identitetit shqiptar dhe çështjen kombëtare.
“Që nga viti 1781, kur “hodhi çatinë “kjo teqe, ajo nuk shërbeu vetëm si vend lutjeje. Ajo u bë shtëpi e hapur për udhëtarin, vatër dijeje e kuvendimi dhe, mbi të gjitha, vatër e ndërgjegjes shqiptare”, – deklaroi Presidenti i Republikës në fjalën përshëndetëse.
Kreu i Shtetit kujtoi rolin e klerikëve bektashnj në momentet vendimtare për shqiptarët, nga Rilindja, deri në ndërtimin e shtetit.
Duke u ndalur në filozofinë dhe frymën e besimit, Presidenti i Republikës theksoi kontributin e bektashinjve në bashkejetesën fetare.
“Në ditët tona ne flasim shumë për harmoninë fetare, vërtet një vlerë e jashtëzakonshme, dhe shpesh rrezikojmë ta kthejmë atë në një formulë protokollare, por harmonia fetare shqiptare nuk lindi në tryeza zyrtare apo si çeshtje protokollare. Ajo u gatua në vende si kjo teqe, nga breza klerikësh e besimtarësh që ditën të ishin të përkushtuar në besimin e tyre dhe, njëkohësisht, të shihnin tek tjetri bashkëkombësin, fqinjin, vëllain e një gjaku e të një gjuhe”, – u shpreh Presidenti Begaj, duke theksuar se mesazhi i bektashizmit për urtësi, maturi e ndërtimurash mes njerëzve është sot po aq i gjallë dhe i nevojshëm sadikur.
“Drita e besimit dhe kujtesa e një populli nuk mund të shlyhen”, – u shpreh ai, duke kujtuar dhe përpjekjet e klerikëve që i mbijetuan diktaturës në Shqipëri dhe rizgjuan besimin.
Ai theksoi rëndësinë për mbrojtjen dhe përcjelljen e kujtesës kombëtare dhe identitetit kombëtar.
Në fund të fjalës përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh se “Pelegrinazhi në Frashër është një udhëtim në rrënjët e identitetit tonë, atje ku besimi u bë dije, dija u bë vetëdije dhe vetëdija u bë atdhetari. Ndoshta prandaj sa herë që Naimi mendonte për Shqipërinë, mendja e shpirti i ktheheshin te kjo natyrë e te këto male. Dhe prej këtej, ai na la testamentin më të bukur: “Ti Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqiptar”.
Sot, nga Frashëri, kjo thirrje na kujton se nga vijmë dhe përgjegjësinë që kemi për vendin që do t’u lëmë brezave të ardhshëm”.
Presidenti i Republikës e mbylli vizitën e tij në Frashër duke vizituar shtëpinë e vëllezërve Frashër.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




