‘Prania Besnike’ në Shkodër, deputetët takime në çdo zonë të qarkut për të forcuar lidhjen me banorët
Pasditen e së premtes, në selinë e Partisë Socialiste në Shkodër, drejtuesi politik i PS-së për qarkun, Enea Karakaçi, zhvilloi një takim me deputetët e qarkut, kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e strukturave socialiste.
Takimi u fokusua në organizimin e punës politike në terren në kuadër të nismës “Prania Besnike”, të ndërmarrë nga kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e cila synon forcimin e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe rritjen e pranisë së strukturave të partisë në çdo komunitet.
Gjatë mbledhjes u përcaktua kalendari i takimeve që do të zhvillohen në ditët në vijim në të gjitha bashkitë dhe njësitë administrative të qarkut, ndërsa Karakaçi ndau detyrat dhe angazhimet për deputetët dhe strukturat vendore.
Pas mbledhjes, Karakaçi bëri të ditur edhe publikisht nisjen e kësaj serie takimesh.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se së bashku me skuadrën e deputetëve kanë nisur takimet nga Shkodra, ndërsa ato do të vijojnë edhe në ditët në vijim në zona të tjera të qarkut.
„Filluam orën e ‘Pranisë Besnike’ në Shkodër. Takimet janë të hapura, pa kamera, pa video, kushdo mund të vijë dhe të ngrejë shqetësimet e veta.” –tha Enea Karakaçi.I Deleguar PS, Qarku Shkodër
Sipas Karakaçit, fokusi i takimeve do të jetë dëgjimi i qytetarëve, evidentimi i problematikave dhe shqetësimeve të tyre, si dhe përcjellja e tyre për zgjidhje, në funksion të një komunikimi të vazhdueshëm mes Partisë Socialiste dhe komunitetit.
Gazetare : M Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




