Policia e Tiranës ka shtuar kontrollet ndaj automjeteve luksoze që qarkullojnë në kryeqytet, në një aksion që synon të verifikojë origjinën e mjeteve dhe burimin e parave me të cilat janë blerë.
Kontrollet janë zhvilluar gjatë ditës së sotme, 6 shtator, në disa zona të Tiranës, ku strukturat policore kanë ndaluar dhe verifikuar dhjetëra automjete të markave luksoze.
Në fokus të kontrolleve nuk është vetëm dokumentacioni i mjeteve, por edhe historia e pronësisë dhe mënyra se si janë siguruar automjetet.
Për verifikimin e tyre, efektivët kanë përdorur pajisje të posaçme që mundësojnë kontrollin e të dhënave identifikuese të automjeteve dhe krahasimin e tyre me informacionin e regjistruar në sistemet përkatëse.
Pas kontrollit fillestar, për automjetet e evidentuara janë kryer verifikime të mëtejshme mbi pronësinë, origjinën dhe historikun e tyre, përfshirë blerjen, shitjen dhe personat që i kanë poseduar.
Një tjetër element i rëndësishëm i aksionit lidhet me verifikimin e burimit të të ardhurave. Policia po kontrollon nëse vlera e automjeteve përputhet me burimet e ligjshme financiare të personave që i kanë në pronësi apo përdorim.
Kjo procedurë synon të evidentojë rastet kur automjetet luksoze mund të jenë blerë me të ardhura që dyshohet se burojnë nga veprimtari kriminale. Njëkohësisht, kontrollet kanë për qëllim identifikimin e mjeteve që mund të jenë futur në mënyrë të paligjshme në vend apo të jenë objekt trafikimi.
Në aksion janë përfshirë strukturat e Policisë së Tiranës që hetojnë krimet ekonomike dhe financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Policinë Rrugore.
Në përfundim të verifikimeve të kryera, materialet procedurale për rastet e evidentuara i janë referuar Prokurorisë, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme hetimore dhe procedurale.
Policia e Tiranës ka bërë të ditur se kontrollet ndaj automjeteve luksoze do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim. Synimi është evidentimi i pasurive që mund të kenë origjinë kriminale, parandalimi i trafikimit të mjeteve dhe forcimi i luftës kundër pastrimit të produkteve të veprës penale.







