Dumani goditi policin me kovë dhe grusht

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

zbardhen detajet e incidentit në burgun 313

Zbardhet incidenti i 7 gushtit në burgun 313 në Tiranë, ku i paraburgosuri Nuredin Dumani dyshohet se ka goditur me kovë uji dhe grusht një punonjës të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve.

Ngjarja ka ndodhur në sektorin “C” të katit të dytë të paraburgimit, ndërsa detaje të reja kanë dalë nga dëshmia e punonjësit të policisë Rexhep Sinaj.

Sipas dëshmisë së tij, paraditen e 7 gushtit ai po hynte në sektor për të kryer shërbimin, duke mbajtur në duar një qese me ushqime.

“…Në duar po mbaja një qese me ushqime dhe, teksa po ngjisja shkallët drejt katit të dytë, në korridor ka dalë Nuredin Dumani dhe më ka goditur me një kovë uji, duke më lagur të gjithin. Në këtë moment më kanë rënë nga duart edhe ushqimet. Ndërsa Dumani më ka qëlluar edhe me grusht, duke më çarë në pjesën e hundës”, ka dëshmuar Sinaj.

Pas incidentit, punonjësi i policisë i është nënshtruar edhe një ekzaminimi mjekoligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë.

Në dëshminë e tij, Sinaj ka deklaruar gjithashtu se gjatë periudhës së shërbimit, Dumani e kishte ofenduar në disa raste, por ai nuk i ishte kundërpërgjigjur dhe nuk e kishte fyer.

Sipas efektivit, pas goditjes Dumani është larguar drejt dhomës nr. 1, në katin e dytë të sektorit “C”. Ngjarja, sipas dëshmive të administruara, është filmuar nga kamerat e sigurisë së burgut dhe është parë edhe nga dy punonjës policie, Edmond Gjiriti dhe Kujtim Balliu.

Të dy punonjësit janë marrë në pyetje nga Policia e Burgjeve, ku kanë dhënë dëshmitë e tyre për situatën e krijuar mes të paraburgosurit dhe punonjësit të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve. Ndërkohë, sipas të dhënave të bëra publike për rastin, Dumani nuk është marrë në pyetje për incidentin.

Policia e Burgjeve ka sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë. Në to, sipas përshkrimit të materialeve të administruara, Dumani shfaqet me pantallona të shkurtra duke goditur me kovën e ujit punonjësin e policisë.

Nga përplasja, uji është derdhur në shkallë dhe korridor, ndërsa ushqimet janë shpërndarë në dysheme. Në pamje shfaqen më pas edhe dy punonjësit e policisë dhe disa të paraburgosur të tjerë. Pas qetësimit të situatës, dyert e sektorit “C” janë mbyllur.

Incidenti rikthen në vëmendje edhe problematikat e sigurisë dhe marrëdhëniet mes të paraburgosurve dhe punonjësve të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve. Sipas materialit të referuar, ky nuk do të ishte rasti i parë ku Dumani është përfshirë në një konflikt me punonjës të këtij institucioni.

Në dosjet e SPAK, Nuredin Dumani ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe dëshmitë e tij janë përdorur në disa hetime dhe procedime penale, përfshirë dosjen “Plumbi i Artë” dhe çështje të tjera ndaj personave të dyshuar për veprimtari kriminale.

Paralelisht me statusin e bashkëpunëtorit, Dumani është marrë i pandehur në disa procedime. Sipas akuzave të SPAK, ai akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë vrasje, tentativa vrasjeje, sigurim të kushteve për kryerjen e vrasjeve, grabitje me dhunë dhe armë, si dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Incidenti në burgun 313 ndodh në një moment kur dosja “Plumbi i Artë” ndodhet në fazat përfundimtare të procesit gjyqësor, ku pritet edhe paraqitja e pretencës nga prokuroria për të pandehurit e procedimit penal nr. 75./Mashqip

Publikuar nga Publik Media