Një rrjet i dyshuar i shpërndarjes së lëndëve narkotike, i goditur nga Policia e Sarandës në kuadër të operacionit “Vjeshta”, duket se kishte një aktivitet që shtrihej përtej kufijve të qytetit.
Sipas burimeve, pjesë e grupit dyshohet se ishin edhe persona që vinin nga Tirana dhe Elbasani gjatë muajve të sezonit turistik, me qëllim shpërndarjen e drogës në zonën e Sarandës dhe veçanërisht në Ksamil.
Hetimet kanë nxjerrë në pah dyshimet se aktiviteti i tyre lidhej kryesisht me periudhën e verës. Pas përfundimit të sezonit turistik, në fund të muajit shtator, këta persona largoheshin nga zona.
Mes të dyshuarve për këtë aktivitet janë edhe Feliks Filja dhe Arlind Osmani, të cilët, sipas burimeve, dyshohet se vepronin në zonën e Ksamilit.
Si dyshohet se funksiononte rrjeti
Nga të dhënat e hetimit rezulton se personat e përfshirë dyshohet se siguronin lëndën narkotike përmes Altin Arapit, i njohur edhe me nofkën “Boraqi”, i cili është arrestuar gjithashtu në kuadër të operacionit policor “Vjeshta”.
Kokaina dhe kanabisi dyshohet se ndaheshin në sasi të vogla dhe më pas përgatiteshin në doza, me synim shpërndarjen dhe shitjen në pika të ndryshme të Sarandës dhe Ksamilit.
Operacioni policor ka çuar në arrestimin e 20 personave, të moshave nga 20 deri në 54 vjeç.
Të arrestuarit janë:
- Arlind Osmani, 25 vjeç
- Feliks Filja, 27 vjeç
- Med Myftaraj, 35 vjeç
- Klerjan Popshni, 27 vjeç
- Redian Arizi, 33 vjeç, banues në Ksamil
- Nikolin Rakipi, 32 vjeç
- Altin Arapi (Demiri), 48 vjeç
- Erjon Dido, 41 vjeç
- Dhimitër Terolli, 33 vjeç
- Xhuliano Mejdi, 27 vjeç
- Vasil Kaçi, 23 vjeç
- Flatun Lalaj, 54 vjeç
- Bledar Kovaci, 26 vjeç
- Shqefet Bezhani, 20 vjeç
- Andrea Babi, 20 vjeç
- Nazif Refitaj, 24 vjeç
- Elvis Demçaj, 30 vjeç
- Devis Saliaj, 22 vjeç
- Korado Omeri, 28 vjeç
- Fabjo Berhamaj, 30 vjeç, banues në Sarandë
Kokainë, kanabis, armë dhe automjete të sekuestruara
Gjatë kontrolleve të kryera në banesa dhe ambiente të lidhura me personat nën hetim, Policia sekuestroi sasi kokaine dhe kanabisi të ndara në dhjetëra doza, të cilat dyshohet se ishin për qëllime shitjeje.
Në kuadër të operacionit u sekuestruan gjithashtu dy pistoleta, katër automjete, 19 telefona celularë, si dhe një shumë parash në lekë dhe euro.
Dy armët e zjarrit u gjetën gjatë kontrolleve në banesat e Devis Saliajt dhe Shefqet Bezhanit.
Hetimi nisi dy muaj më parë
Hetimet për aktivitetin e këtij grupi kishin nisur rreth dy muaj përpara goditjes së fundit. Sipas të dhënave të bëra publike, një pjesë e veprimtarisë së dyshuar kriminale ishte goditur edhe më herët nga autoritetet.
Më 31 korrik, në kuadër të të njëjtit hetim, tre persona u arrestuan në flagrancë. Gjatë atij operacioni u sekuestruan rreth 5 kilogramë kanabis, që dyshohej se do të shpërndahej në zonat e Sarandës dhe Ksamilit.
Operacioni “Vjeshta” shënon kështu një tjetër goditje ndaj rrjeteve të dyshuara të shpërndarjes së lëndëve narkotike në jug të vendit, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rolin e secilit prej personave të arrestuar dhe mënyrën e funksionimit të grupit.







