Skënder Hita mbledh drejtuesit e Policisë në tre qarqe

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Siguria në shkolla dhe parandalimi i krimit, në fokus

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka zhvilluar takime pune me drejtuesit e strukturave vendore të Policisë në Elbasan, Berat dhe Kukës, me fokus forcimin e sigurisë dhe rritjen e efektivitetit të shërbimeve policore në territor.

Gjatë takimeve, vëmendje e veçantë iu kushtua parandalimit të ngjarjeve kriminale, evidentimit në kohë të konflikteve dhe ndjekjes së çdo denoncimi të bërë nga qytetarët.

Hita kërkoi që strukturat policore të intensifikojnë punën për identifikimin dhe arrestimin e personave që qarkullojnë të armatosur, si dhe të individëve të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme të lidhura me narkotikët.

Në fokus të detyrave të përcaktuara ishte edhe lokalizimi dhe kapja e personave në kërkim, parandalimi i krimeve mjedisore, si dhe përmirësimi i komunikimit të Policisë me qytetarët, duke kërkuar sjellje etike dhe profesionalizëm në çdo ndërveprim.

Siguria në shkolla, prioriteti kryesor i Policisë

Një pjesë e rëndësishme e takimeve iu kushtua sigurisë në shkolla, veçanërisht në prag të nisjes së vitit të ri mësimor.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë e cilësoi këtë çështje si një nga prioritetet kryesore të strukturave policore dhe kërkoi angazhim maksimal për garantimin e një ambienti të sigurt për nxënësit.

Në këtë kuadër, shërbimet e Policisë do të bashkëpunojnë me oficerët e sigurisë në shkolla, me qëllim parandalimin e incidenteve dhe krijimin e kushteve për zhvillimin normal të procesit mësimor.

Hita u ka kërkuar drejtuesve të Komisariateve që sigurinë në institucionet arsimore ta ndjekin në mënyrë të përditshme dhe të trajtojnë drejtpërdrejt çdo problematikë të raportuar nga shkollat.

Kontrolle dhe monitorim në perimetrin e shkollave

Në kuadër të masave parandaluese, strukturat e narkotikëve, shërbimet “Shqiponja” dhe strukturat operacionale do të përqendrojnë punën në zonat përreth institucioneve arsimore.

Qëllimi është parandalimi i pranisë së personave që mund të tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike pranë shkollave, si dhe shmangia e konflikteve apo incidenteve që mund të cenojnë sigurinë e nxënësve.

Policia synon që hapësirat përreth shkollave të monitorohen në mënyrë të vazhdueshme, veçanërisht gjatë orareve të hyrjes dhe daljes së nxënësve.

foto galeri

Fokus edhe te siguria rrugore

Një tjetër pikë e diskutuar gjatë takimeve ishte siguria rrugore.

Hita kërkoi intensifikimin e kontrolleve dhe monitorimit të qarkullimit rrugor, duke përfshirë edhe përdorimin më të gjerë të mjeteve inteligjente.

Sipas porosive të dhëna gjatë takimeve, synimi është identifikimi dhe ndëshkimi në kohë i shkeljeve të rregullave të qarkullimit, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.

Drejtori i Përgjithshëm kërkoi gjithashtu që ndërhyrja e strukturave policore të jetë e shpejtë në rastet kur evidentohen shkelje apo situata që mund të rrezikojnë jetën e përdoruesve të rrugës.

Hita kërkon përgjegjësi direkte nga drejtuesit

Gjatë takimeve, drejtuesit vendorë të Policisë janë porositur të mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për situatën e sigurisë në territorin që mbulojnë.

Hita kërkoi që problematikat të ndiqen nga afër dhe që çdo shqetësim i qytetarëve të marrë përgjigje të shpejtë dhe profesionale.

Një tjetër kërkesë e drejtpërdrejtë ishte forcimi i komunikimit me komunitetin. Shefat e Komisariateve dhe drejtuesit e strukturave vendore janë porositur të presin qytetarët, të dëgjojnë problematikat e tyre dhe të angazhohen për zgjidhjen e çështjeve që janë në kompetencë të Policisë.

Drejtori i Përgjithshëm ka theksuar se edhe ai vetë është i gatshëm të presë qytetarët që kërkojnë një takim me të.

Takimet me drejtuesit e strukturave policore do të vijojnë edhe në Drejtoritë e tjera Vendore të Policisë, si dhe në strukturat vendore për Kufirin dhe Migracionin, në kuadër të objektivit për rritjen e parametrave të sigurisë në të gjithë vendin.

Publikuar nga Publik Media