Mitsotakis paralajmëron Tiranën: Pronat dhe minoriteti grek, kusht për rrugën drejt BE-së
Shqipëria dhe procesi i saj i integrimit në Bashkimin Europian kanë qenë pjesë e konferencës tradicionale për shtyp të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, zhvilluar në kuadër të Panairit të 90-të Ndërkombëtar të Selanikut.
I pyetur për marrëdhëniet mes Athinës dhe Tiranës, veçanërisht për çështjet që lidhen me pronat dhe të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, Mitsotakis përsëriti mbështetjen e Greqisë për integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, ai theksoi se secili vend kandidat do të vlerësohet në mënyrë individuale, në varësi të progresit që arrin në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit.
“Progresi që është bërë në regjistrimin e pronave dhe në mbrojtjen e të gjitha të drejtave nuk është i mjaftueshëm. Të jeni të sigurt se, në momentin e duhur, do të ushtrojmë të drejtat tona për t’u siguruar që të drejtat e minoritetit mbrohen plotësisht”, deklaroi kryeministri grek.
Mitsotakis e lidhi çështjen edhe me procesin e integrimit europian, duke nënvizuar se respektimi i të drejtave dhe zbatimi i standardeve europiane nuk janë thjesht çështje dypalëshe mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Sipas tij, avancimi i Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit kërkon edhe konsensusin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të cilat kanë rol në hapjen dhe mbylljen e kapitujve të negociatave.
Ndërkohë, sa i përket Maqedonisë së Veriut, kryeministri grek mbajti një qëndrim edhe më kritik. Mitsotakis deklaroi se në procesin e negociatave europiane të Shkupit nuk ka pasur, në thelb, progres të dukshëm, duke e konsideruar vendin në një fazë dukshëm më të hershme të rrugëtimit europian krahasuar me Shqipërinë.
Konferenca e Mitsotakis u zhvillua një ditë pas fjalimit të tij në Selanik, ku prezantoi një paketë të gjerë masash ekonomike. Plani përfshin rritje pagash e pensionesh, lehtësime fiskale dhe mbështetje për familjet, fermerët dhe bizneset.
Masat janë prezantuar në kuadër të programit të tij për një mandat të tretë, nëse partia e tij fiton zgjedhjet parlamentare të parashikuara në pranverën e vitit 2027.
Por njoftimet ekonomike të qeverisë janë pritur me skepticizëm nga partitë opozitare dhe disa media kritike. Paralelisht, mijëra qytetarë, sindikata, fermerë dhe organizata dolën në protestë në qendër të Selanikut, duke kundërshtuar rritjen e kostos së jetesës dhe politikat ekonomike të qeverisë.







