Megaoperacion antidrogë në Sarandë, goditet rrjeti i shpërndarjes

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Në pranga disa persona, sekuestrohen kokainë, kanabis dhe armë

Një operacion i gjerë antidrogë është zhvilluar në Sarandë, ku Policia ka goditur një rrjet të dyshuar për shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonën bregdetare.

Aksioni është ndërmarrë nga strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë dhe ka çuar deri tani në shoqërimin dhe arrestimin e disa personave, ndërsa kontrollet në terren vijojnë ende.

Gjatë ndërhyrjes, efektivët kanë sekuestruar sasi kokaine dhe kanabisi, ndërsa në kuadër të operacionit janë gjetur dhe marrë në cilësinë e provës materiale edhe armë zjarri.

Burime nga terreni bëjnë me dije se mes personave të ndaluar dyshohet se ka edhe individë të konsideruar si pjesë e rëndësishme e strukturës që merrej me shpërndarjen e drogës në Sarandë dhe zonat përreth.

Hetuesit po verifikojnë rolin e secilit prej të ndaluarve, ndërsa dyshimet paraprake janë përqendruar te një rrjet që mendohet se kishte shtrirje në disa pika të qytetit.

Operacioni vjen në një periudhë kur problematika e shpërndarjes së lëndëve narkotike në Sarandë është kthyer në një shqetësim të fortë për banorët dhe komunitetin lokal.

Policia vijon kontrollet dhe veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në aktivitetin kriminal.

Operacioni mbetet në zhvillim, ndërsa pritet që në vijim të ketë edhe detaje të tjera mbi personat e arrestuar, sasinë e drogës dhe armëve të sekuestruara, si dhe akuzat konkrete që do të ngrihen ndaj tyre.

Publikuar nga Publik Media