1 në 7 të testuar e kanë rimarrë patetën pas heqjes nga policia

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Rifitimi i lejes së drejtimit përmes ritestimit vijon të jetë një proces i vështirë për drejtuesit që kanë humbur patentën.

Në sesionin e fundit, vetëm 5 nga 46 kandidatët e riregjistruar kanë arritur të kalojnë me sukses testimin, sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR).

Që prej nisjes së kësaj fushate në qershor të vitit 2022, në total janë riregjistruar 3,573 kandidatë për të rifituar lejen e drejtimit.

Nga këta, vetëm 496 persona kanë kaluar me sukses testimin dhe kanë rifituar patentën. Në raport me numrin e përgjithshëm të kandidatëve, kjo përfaqëson rreth 13.8%, ndërsa më shumë se 86% nuk kanë mundur ta kalojnë procesin.

Sipas DPSHTRR-së, ritestimi synon të garantojë që drejtuesit që rikthehen në qarkullim të kenë njohuritë e nevojshme mbi rregullat dhe sigurinë rrugore.

Institucioni u bën thirrje kandidatëve që të përgatiten për provimin përmes materialeve zyrtare, platformës online të simulimit të testimit dhe aplikacionit “Leje Drejtimi”.

Shifrat e publikuara tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e drejtuesve që i nënshtrohen këtij procesi nuk arrijnë të demonstrojnë njohuritë e kërkuara për të rifituar lejen e drejtimit.

Publikuar nga Publik Media