Biznesmeni para hetuesve: Trillim, konflikti nisi për pronën në Palasë
Pronari i kompanisë Delta, Luan Muça, ka mohuar para hetuesve akuzat për gjobëvënie ndaj biznesmenit Vasil Bedinaj, duke i cilësuar si të pavërteta pretendimet e pronarit të rrjetit të hoteleve “Rexhina”.
Muça, i cili u arrestua në kuadër të hetimeve për konfliktin me Bedinajn, ka dhënë një tjetër version për përplasjen mes dy biznesmenëve. Sipas tij, çështja nuk ka lidhje me gjobëvënie, por me një konflikt të hershëm për pronësinë e një pasurie në zonën e Palasës.
Vasil Bedinaj, në dëshminë e tij para hetuesve, ka pretenduar se Luan Muça i ka kërkuar një shumë prej miliona eurosh dhe e ka kërcënuar që të largohej nga Shqipëria brenda 48 orëve.
Muça i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke deklaruar se kërkesa për 5 milionë euro është një trillim dhe se përplasja mes tyre lidhet me një pasuri që, sipas tij, është përfituar në mënyrë të parregullt.
Konflikti për pronën në Palasë
Sipas burimeve pranë policisë, të cituara nga VNA, Muça u ka shpjeguar hetuesve se ishte vënë në dijeni se Vasil Bedinaj kishte siguruar një leje zhvillimi në zonën e Palasës për një pronë që ai pretendon se i përket kompanisë së tij.
Sipas versionit të Muçës, pasuria në fjalë ka mbivendosje me një pronë të regjistruar në emër të Vasil Bedinajt. Për këtë arsye, biznesmeni ka pretenduar se i është drejtuar Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, duke depozituar dokumentet që, sipas tij, provojnë të drejtën mbi pronën.
Pas administrimit të ankesës, AZHT, sipas këtij versioni, ka bërë me dije se dokumentacioni do të verifikohej dhe se, nëse do të konstatohej mbivendosje e pronësisë, çështja do të trajtohej në përputhje me ligjin.
Muça ka pretenduar se në raste të tilla, kur verifikimet evidentojnë konflikte ose mbivendosje pronësie, nuk mund të vijojë procedura për pajisjen me leje zhvillimi.
Takimi me Vasil Bedinajn dhe nisja e konfliktit
Në vijim të kësaj çështjeje, Muça ka deklaruar se është kontaktuar në telefon nga Vasil Bedinaj, i cili i ka kërkuar një takim për të diskutuar mbi problemin e pronës.
Sipas dëshmisë së tij, Muça ka shkuar në takim i shoqëruar nga Mandrit dhe Klaudio Lleshaj. Ai pretendon se, pasi janë takuar me Bedinajn në ambientet e resortit, situata është tensionuar për shkak të ofendimeve që, sipas tij, kanë prekur edhe familjarët.
Biznesmeni ka deklaruar se në atë moment është larguar nga ambientet e brendshme të resortit dhe se nuk ka parë drejtpërdrejt atë që ka ndodhur më pas mes personave të tjerë të përfshirë në konflikt.
Çfarë deklaroi për ndërhyrjen e policisë
Muça ka dhënë gjithashtu versionin e tij për momentin kur grupi është ndaluar nga policia.
Sipas tij, Mandrit Lleshaj ka përjetuar një gjendje ankthi gjatë ndalimit nga efektivët.
Një tjetër element i hetimit lidhet me armën e zjarrit të gjetur në automjetin tip “Range Rover”, me targë AM001AM, i cili u aksidentua gjatë largimit nga ambientet e resortit “Rexhina”.
Muça ka deklaruar se automjeti i përkiste Mandrit Lleshajt dhe se arma që ndodhej në të ishte e tij dhe mbahej me leje.
Muça pretendon se pa një person të armatosur
Në dëshminë e tij, biznesmeni ka dhënë edhe një tjetër detaj për konfliktin. Ai ka deklaruar se kishte parë një person në krahun e Vasil Bedinajt, për të cilin, bazuar në atë që ka mundur të perceptojë, dyshonte se ishte i armatosur.
Në përfundim të deklarimeve të tij para hetuesve, Muça ka mohuar sërish akuzën për gjobëvënie dhe ka kundërshtuar pretendimin për shumën prej 5 milionë eurosh.
“Pretendimi i Vasil Bedinaj për shumën 5 mln euro gjobë nga ana ime është një trillim”, ka deklaruar Luan Muça.
Hetimet pritet të përcaktojnë rrethanat e plota të konfliktit, rolin e personave të përfshirë dhe nëse pretendimet e dy palëve mbështeten nga prova konkrete.







