Asnjë nga pesë takimet e parashikuara me qytetarët për Reformën e re Administrative Territoriale nuk ka sjellë pjesëmarrjen e pritur në Bashkinë Belsh.
Këshilli Bashkiak kishte planifikuar pesë dëgjesa publike në qytetin e Belshit dhe në njësitë administrative Kajan, Grekan, Fierzë dhe Rrasë. Megjithatë, takimet janë karakterizuar nga një pjesëmarrje shumë e ulët, duke treguar mungesë interesi nga banorët, pavarësisht nëse janë pro apo kundër ndryshimeve të propozuara.
Kalendari i dëgjesave ishte bërë publik nga Këshilli Bashkiak që më 10 gusht, duke u lënë qytetarëve kohë për t’u informuar dhe për të marrë pjesë në diskutimet mbi reformën.
Belshi dhe Cërriku drejt bashkimit me Elbasanin
Ndryshimet e propozuara në kuadër të Reformës Administrative Territoriale parashikojnë që Bashkia Belsh dhe Bashkia Cërrik të bashkohen me Bashkinë Elbasan.
Ndërsa në zona të tjera të qarkut Elbasan janë zhvilluar protesta dhe organizime qytetare kundër hartës së re territoriale, në Belsh reagimi ka qenë dukshëm më i vakët. I vetmi organizim i raportuar në qytet është shoqëruar gjithashtu me pjesëmarrje të kufizuar.
Projektiligji i ri për Reformën Administrative Territoriale, i propozuar nga Partia Socialiste, u është dërguar bashkive në të gjithë vendin. Procesi parashikon marrjen e mendimit të komuniteteve lokale, ndërsa këshillat bashkiakë dhe kryetarët e bashkive duhet të përcjellin qëndrimin e tyre zyrtar për ndryshimet e propozuara.
Dëgjesat, më të rëndësishme në bashkitë që preken nga reforma
Në bashkitë që nuk preken drejtpërdrejt nga ndryshimet e hartës territoriale, dëgjesat publike kanë pasur kryesisht karakter formal. Ndërkohë, procesi merr një peshë më të madhe në bashkitë që parashikohet të shkrihen ose të bashkohen me njësi të tjera vendore.
Në rastin e Belshit, mungesa e pjesëmarrjes së qytetarëve ka bërë që diskutimi mbi të ardhmen administrative të bashkisë të mos zhvillohet në nivelin e pritshëm.
Përballë kësaj situate, Këshilli Bashkiak i Belshit pritet të mblidhet sërish për të hartuar një kalendar të ri dëgjesash publike, me synimin për të rritur pjesëmarrjen e banorëve dhe për të marrë një qëndrim sa më të plotë nga komuniteti për Reformën Administrative Territoriale.








