Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vizitën e tij e ka nisur me një pritje nga komuniteti shqiptar.
Lideri demokrat ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga momentet e para pas mbërritjes në SHBA. Në video, Berisha shihet teksa përshëndetet me shqiptarë të cilët i janë afruar për ta mirëpritur dhe për të shkëmbyer disa momente me të.
“Përtej oqeanit, një pritje shqiptare, një moment mirënjohjeje”, shkruan Berisha në përshkrimin e pamjeve të publikuara.
Vizita e kryetarit të PD-së pritet të shoqërohet me një agjendë të ngjeshur gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara, përfshirë takime dhe kontakte në një periudhë me zhvillime të rëndësishme në skenën politike shqiptare.
Qëndrimi i Berishës në SHBA vjen në një moment me interes të veçantë për Partinë Demokratike dhe zhvillimet politike në Shqipëri, ndërsa pritet që në ditët në vijim të bëhen të ditura edhe detaje të tjera mbi axhendën e vizitës.







