‘Ethet’ e Bashkisë Tiranë, Flor Binaj trazon politikën me vendimin e fundit

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Aktori dhe aktivisti Florjan Binaj ka folur për angazhimin e tij në jetën publike dhe mundësinë që të garojë në zgjedhjet e ardhshme për Bashkinë e Tiranës.

Gjatë një interviste këtë të shtunë në Euronews Albania, Binaj u pyet nëse e sheh veten si kandidat të pavarur, në rast se nuk do të ketë një mbështetje të përbashkët nga opozita, apo nëse do të preferonte të ishte pjesë e një fronti të bashkuar opozitar.

Përgjigjja e tij ishte e shkurtër dhe e drejtpërdrejtë: “Po”.

I pyetur më tej se mbi çfarë mbështetet kjo bindje dhe çfarë e shtyn të mendojë seriozisht për një angazhim politik në Tiranë, aktori e lidhi qëndrimin e tij me përgjegjësinë që, sipas tij, ka çdo person që beson se mund të japë një kontribut konkret në shoqëri.

Binaj theksoi se angazhimi qytetar nuk duhet të kufizohet vetëm në deklarata apo aktivitetin në rrjetet sociale, por duhet të shoqërohet me veprime konkrete në terren.

Sipas tij, përmirësimi i qytetit nuk mund të arrihet përmes reagimeve virtuale, pëlqimeve apo komenteve në rrjetet sociale, por kërkon përfshirje dhe veprim real.

“Enough is enough” është një prej mesazheve që Binaj përdori për të shpjeguar qasjen e tij, duke nënvizuar se kushdo që beson se Tirana mund të ndryshojë duhet të jetë i gatshëm të japë kontributin e tij.

Në vijim të intervistës, Binaj e bëri edhe më të qartë qëndrimin e tij për zgjedhjet vendore. Ai deklaroi se, pavarësisht nëse do të ketë apo jo mbështetjen e opozitës, e sheh veten si një prej kandidatëve që do të garojnë për Bashkinë e Tiranës.

Deklarata e aktorit hap kështu mundësinë për një kandidaturë të re në garën për kryeqytetin, ndërsa mbetet për t’u parë nëse angazhimi i tij do të konkretizohet në zgjedhjet e ardhshme dhe nëse do të ketë një mbështetje politike nga opozita.

Publikuar nga Publik Media