Kush është oligarku që shan Ramën në përgjimin ambiental?

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Ahmetaj paralajmëron tjetër surprizë

Kush është oligarku që, në një përgjim ambiental ndërkombëtar, flet pa dorashka dhe shan kryeministrin Edi Rama? A është një prej biznesmenëve që është pasuruar përmes tenderëve, koncesioneve, lejeve të ndërtimit dhe favoreve qeveritare, por që larg kamerave shfaq fytyrën e vërtetë të marrëdhënies me pushtetin?

Kjo është një nga pikëpyetjet më të forta që ngrihet përpara intervistës së paralajmëruar të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj nga Zvicra. Në daljen e re, Ahmetaj pretendon se do të publikojë të dhëna për një përgjim ndërkombëtar të janarit 2026, persona pranë qeverisë dhe lidhje të dyshuara mes politikës, biznesit dhe botës së krimit.

Emri i oligarkut nuk është bërë ende publik. Por mënyra se si ndërtohet paralajmërimi të çon te një rreth shumë i ngushtë biznesmenësh: njerëz që kanë hyrje të drejtpërdrejtë në zyrat më të larta të shtetit, që kanë përfituar kontrata publike dhe që mund të flasin për kryeministrin me një familjaritet që nuk e zotëron çdo sipërmarrës.

Publikimi i plotë i përgjimit, edhe pse nuk është shumë cilësor, nuk ka rëndësi vetëm te fyerjet ndaj Ramës. Pesha reale do të jetë te konteksti: me kë bisedon oligarku, çfarë interesash diskutohen, cilët zyrtarë përmenden dhe çfarë raporti real ekziston mes qeverisë dhe përfituesve më të mëdhenj të parave publike.

A kemi të bëjmë me një konflikt për ndarjen e tenderëve dhe koncesioneve? Me një biznesmen që ndihet i tradhtuar nga Rama? Apo me një njeri aq pranë pushtetit, sa e konsideron kryeministrin partner me të cilin mund të zemërohet, të negociojë dhe të ndajë interesat?

Misteri shtohet më shumë me pyetjet: “Kush është Gysi anglishtfolës?”, “Kush është izraeliti që flet në emër të Edi Ramës?” dhe “Kush është Ermal Raketa?”. Në të njëjtën intervistë ngrihen dyshime edhe për një trafik të mundshëm armësh në Shqipëri.

Bashkimi i këtyre elementeve krijon dyshimin se nuk kemi përpara thjesht një bisedë private apo një episod banal. Pretendimi i Ahmetajt sugjeron një tablo më të gjerë, ku biznesmenë të fuqishëm, ndërmjetës të huaj, persona me nofka dhe njerëz pranë qeverisë mund të shfaqen në të njëjtin rrjet interesash.

Megjithatë, deri në transmetimin e materialit të plotë, të gjithë oligarkët janë me zemër të ngrirë se cili ka rënë viktimë.

Cili do të marrë tatëpjetën pas publikimit, pasi dihet se Rama nuk e vonon hakmarrjen.

E sigurt është se mund të kemi një dosje që prek drejtpërdrejt zemrën e pushtetit.

Pyetja mbetet: cili prej oligarkëve të ushqyer nga qeveria e Ramës e shan kryeministrin sapo dera mbyllet dhe mikrofonat, që ai beson se janë fikur, vazhdojnë të regjistrojnë?

Publikuar nga Publik Media