Situata me zjarret në Frakull të Fierit, 90 efektivë në terren dhe ndërhyrje nga ajri, Air Tractor në 'aksion'
FIER- Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka informuar mbi situatën në zonën e Peshtanit dhe Frakullës në Fier. Përmes një postimi në rrjete sociale, Nufi bën me dije se po vijon operacioni për shuarjen e zjarrit me rreth 90 efektivë të Forcës Tokësore dhe të Regjimentit të Operacioneve Speciale të angazhuar në terren. Operacioni po mbështet edhe nga ajri, ku po operojnë një avion Air Tractor dhe një helikopter i Forcës Ajrore.
Postimi i ministrit të Mbrojtjes Ermal Nufi
Postimi i ministrit të Mbrojtjes Ermal Nufi
Në Peshtan, Frakull, Fier, ku 90 efektivë të Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut, pjesë e Forcës Tokësore, dhe Regjimentit të Operacioneve Speciale #ROS vijojnë operacionin për shuarjen e zjarrit.
Nga ajri, operacioni mbështetet nga një avion Air Tractor dhe një helikopter i Forcës Ajrore.
Situata paraqitet nën kontroll dhe pa rrezik për banesat.
Zjarr edhe në Tropojë: flakët përfshijnë masivet pyjore, rrezikohen pemët shekullore në Nikaj-Mërtur
TROPOJË- Vatra zjarri janë konstatuar edhe në Tropojë, në zonën e Nikaj-Mërturit. Konkretisht raportohet se në Lugun e Ndërmajës, flakët kanë masive pyjore me pemë mbi 100-vjeçare, ndërsa kërkohet angazhim i shpejtë i strukturave të emergjencës për të frenuar përhapjen e flakëve.
Autoritetet pritet të vijojnë monitorimin e situatës për të vënë nën kontroll të vatrës së zjarrit, me qëllim shmangien e përhapjes së mëtejshme në masivet pyjore përreth./ZËRI
Në 'luftë' me flakët në Fier: Shkuan për të ndihmuar banorët, zjarri u dogji makinat dy efektivëve të policisë
FIER- Situata vijon të jetë kritike në Fier, ku flakët kanë përfshirë disa zona dhe po favorizohen nga era. Që prej ditës së premte, zjarri po djeg masive me pisha, ullishte, duke rrezikuar banesat.
Forcat zjarrfikëse dhe efektivët e Policisë ndodhen në terren dhe po punojnë për të vënë në kontroll vatrat e zjarrit, ndërsa situata vijon të mbetet e vështirë.
Në zonën e Levanit, gjatë ndërhyrjes për t’u ardhur në ndihmë banorëve, mësohet se janë djegur edhe automjetet personale të dy efektivëve të Policisë./ZËRI
Zjarr i madh në Meselim të Shkodrës, kërkohen ndërhyrje nga ajri, flakët po përhapen me shpejtësi
SHKODËR- Një zjarr i përmasave të medha ka përfshirë kodrat e Myselimit dhe Bardhajve në zonën e Shkodrës, duke vënë në rrezik edhe banesat pranë vatrës së zjarrit.
Për shkak të erës së fortë dhe terrenit të thyer, flakët janë përhapur me shpejtësi në sipërfaqet me bimësi. Në terren janë angazhuar 6 mjete zjarrfikëse të Bashkisë Shkodër, së bashku me efektivët përkatës, si dhe një bot uji i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike.
Në operacion marrin pjesë gjithashtu strukturat e Emergjencave Civile, Shërbimi Pyjor dhe përfaqësues të njësive administrative Rrethina dhe Postribë. Falë ndërhyrjes së forcave në terren, deri tani janë mbrojtur 15 banesa, duke shmangur rrezikun për familjet që jetojnë në zonë.
Ndërkohë, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga ajri me helikopter, pasi flakët të favorizuara nga era, rrezikojnë t'u afrohen banesave. /ZËRI
Zjarret në Himarë dhe Fier, kryeministri Rama: Situata është nën kontroll dhe s'ka rrezik, nis vlerësimi i dëmeve
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar ditën e sotme për situatën me zjarret në Fier dhe Himarë. Përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, kreu i qeverisë ka ndarë pamjet nga operacionet që vijojnë për shuarjen e flakëve teksa bën me dije se situata është nën kontroll.
Kryeministri njoftoi se bashkia e Himarës do të verifikojë dëmet nga zjarri dhe evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente.
“Himara dhe Fieri kaloi një natë shumë të vështirë mbrëmë
Aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për banorët apo zonat e banuara. Strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për monitorimin e situatës dhe evidentimin e dëmeve
Bashkia do të vijojë identifikimin dhe vlerësimin e dëmeve, si dhe evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente”, shkruan Kryeministri Edi Rama.
Situata me zjarret në 24 orë, 'Mbrojtja': 39 vatra aktive, situata më e tensionuar në Himarë
TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin e zjarreve në vend, duke bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 39 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten aktive, 3 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 25 janë shuar plotësisht.
Sipas Mbrojtjes, vatrat kryesore aktive janë në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Vlorë. Situata më e rënduar është regjistruar në Fier dhe Himarë, ku në lagjen “1 Maji” janë evakuuar 36 persona dhe janë djegur 6 banesa, 3 prej tyre të banuara, ndërsa zjarri ka ulur intensitetin dhe vijon puna për shuarjen e plotë të tij.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit, në vend janë raportuar 39 vatra zjarri, prej të cilave 11 mbeten aktive, 3 janë nën mbikëqyrje dhe 25 janë shuar plotësisht.
Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 881 forca operacionale dhe 75 automjete zjarrfikëse, si dhe 340 forca ushtarake, 4 automjete zjarrfikëse të FA, helikopterët e Forcës Ajrore me 6 operacione dhe 1 avion Air Tractor. Për ditën e sotme parashikohet angazhimi i 380 forcave ushtarake, 2 helikopterëve dhe 1 Air Tractor.
Vatrat kryesore aktive janë në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Vlorë.
Në Dajt vijon puna pa rrezik për zonat e banuara, ndërsa në Qinam të Zall-Herrit është shmangur rreziku për banesat.
Në Dibër vijojnë aktive vatrat në Vajkal, Lundre–Madhesh dhe Mallunxë–Lis, pa rrezik për zonat e banuara.
Në Lezhë, aktive mbeten Gallata dhe Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku rreziku për zonat e banuara është shmangur.
Situata më e rëndësishme gjatë 24 orëve është regjistruar në Fier dhe Himarë.
Në zonën Drizë–Vadhizë–Peshtan–Levan, pas angazhimit të forcave tokësore dhe ajrore, rreziku për banesat është shmangur dhe operacioni vijon.
Në lagjen “1 Maji”, Himarë, u angazhuan rreth 300 forca operacionale dhe 171 efektivë të FA; u evakuuan 36 persona dhe u dogjën 6 banesa, prej të cilave 3 të banuara. Zjarri ka ulur intensitetin, rreziku për banesat është shmangur dhe puna për shuarjen vijon.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
Himara kaloi natën mes flakëve: Zjarri dogji banesa, u evakuuan banorë e turistë! Ja si është situata sot (VIDEO)
HIMARË- Himara kaloi një natë tmerri mes flakëve që vijuan prej orësh duke djegur banesa dhe sipërfaqe të mëdha ullishtesh, por fatmirësisht pa persona të lënduar. Pas disa orësh ndërhyrjeje nga forcat në terren, zjarri u vu nën kontroll rreth orës 02:00 të mëngjesit e sotëm, teksa ka nisur edhe ndërhyrja me helikopter për shuarjen e vatrave të mbetura, ndërsa situata raportohet në përmirësim.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se Forcat e Armatosura vijuan gjatë gjithë natës angazhimin në terren, në kuadër të operacionit për menaxhimin e situatës dhe mbrojtjen e komunitetit. Sipas ministrisë, në terren u angazhuan 171 efektivë dhe 10 mjete, ndërsa në gatishmëri qëndruan edhe një mjet zjarrfikës dhe një ambulancë e Forcave të Armatosura.
“Himarë, ku gjatë natës së kaluar Forcat e Armatosura vijuan angazhimin në terren për menaxhimin e situatës së krijuar nga zjarri.171 efektivë, 10 mjete në terren, 1 mjet zjarrfikës dhe 1 ambulancë nga Forcat e Armatosura ishin në gatishmëri dhe pranë komunitetit, në përballimin e situatës dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës. Mirënjohje dhe respekt për secilin prej tyre“, tha ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Zjarri në Himarë nisi pasditen e së premtes dhe përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme, duke djegur disa banesa dhe duke detyruar banorët të evakuoheshin nga banesat e tyre, si dhe turistët nga zona e rrezikuar. Nga hetimet paraprake, zjarri dyshohet se është shkaktuar nga pakujdesia njerëzore. Për ngjarjen, dy persona janë shoqëruar në komisariat, pasi dyshohen për zjarrvënie./ZËRI