Aubameyang shkruan historinë te Deportivo, thyen rekordin e Bebetos

09:46 | 6 Shtator 2026
D.H

Pierre-Emerick Aubameyang ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e tij te Deportivo La Coruna, duke vendosur një rekord të ri historik në klub.

Sulmuesi gabonez ishte protagonisti kryesor në fitoren e rëndësishme të Deportivo ndaj një kundërshtari që garon në Ligën e Kampionëve, duke realizuar një gol dhe duke dhuruar dy asistime.

Aubameyang asistoi fillimisht për Luismi, i cili shënoi golin e barazimit, ndërsa më pas shërbeu edhe për Eddahchourin, që realizoi golin e dytë të skuadrës.

Në fund, veterani vulosi paraqitjen e tij me gol, duke përfituar nga një gabim i mbrojtjes kundërshtare.

Ky ishte goli i Aubameyang në ndeshjen e katërt radhazi që nga debutimi i tij me Deportivo, duke thyer kështu rekordin e legjendës Bebeto.

Para tij, Bebeto, Makaay, Pandiani, Rabade, Elicegui dhe Pahino kishin shënuar në tri ndeshjet e para me klubin.

Pas ndeshjes, trajneri Antonio Hidalgo nuk i kurseu lëvdatat për sulmuesin 36-vjeçar, duke veçuar edhe ndikimin e tij pozitiv në dhomën e zhveshjes.

“Duhet ta shihni se si stërvitet dhe buzëqeshjen që ua sjell të gjithëve. Jam me fat që kam lojtarë cilësorë dhe të uritur për sukses. Duhet të vazhdojmë të punojmë fort dhe të luftojmë për tri pikët e radhës ndaj Getafes”, deklaroi Hidalgo.

Në këtë ndeshje debutoi nga minuta e parë edhe Jose Maria Gimenez, i cili kishte zhvilluar vetëm një seancë stërvitore me skuadrën. Uruguaiani solli menjëherë liderizëm dhe stabilitet në mbrojtje, ndërsa Casado dhe Adama u inkuadruan në pjesën e dytë për të bërë debutimin e tyre.

Hidalgo e cilësoi fitoren si “brutale” ndaj një kundërshtari elitar, por theksoi se objektivi kryesor i Deportivo mbetet sigurimi i mbijetesës.

“Ky është një rrugëtim i gjatë dhe po i afrohemi gjithnjë e më shumë sigurisë. Duhet të jemi të guximshëm, dhe ne kemi guximin dhe efikasitetin para portës. Kjo është një pasuri e madhe për ne”, u shpreh trajneri./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale