Parku Kombëtar i Mavrovës vazhdon të funksionojë pa mbrojtje të plotë ligjore, pasi procesi për rishpalljen e tij është bllokuar prej kohësh. Qendra për Kërkime dhe Informacion Mjedisor “Eko-svest” paralajmëron se Mavrova nuk ka as Plan Menaxhimi, i cili do të përcaktonte aktivitetet brenda parkut, ndërsa vazhdon të funksionojë në bazë të rregulloreve që datojnë nga viti 1949. Sipas organizatës, pasojë e këtij vakumi ligjor është edhe kërcënimi më i fundit për prerjen e pyjeve për nevojat e ndërtimit të hidrocentralit të vogël “Ribniçka”, shkruan Meta, përcjell Nistori.
Procedurat për ndërprerjen e koncesioneve për hidrocentralet e vogla të planifikuara në zonën e mbrojtjes së rreptë, “Zhirovniçka” 5 dhe 6, të nisura disa vite më parë, nuk e përfshinë “Ribniçkën”, megjithëse edhe ky hidrocentral ishte parashikuar brenda zonës së mbrojtur të parkut.
Pavarësisht rekomandimeve të Konventës së Bernës dhe thirrjeve të ambientalistëve dhe publikut që hidrocentrali të mos ndërtohet, Ministria e Mjedisit negocioi ndryshimin e vendndodhjes së tij, duke e zhvendosur nga zona e mbrojtjes së rreptë në zonën e përdorimit të qëndrueshëm. Megjithatë, në të dyja rastet, hidrocentrali mbetet brenda territorit të parkut.
Problemi, sipas “Eko-svest”, është se projekti për hidrocentralin e vogël po shtyhet përpara pavarësisht faktit se ligji për rishpalljen e parkut ende nuk është miratuar, që do të thotë se as kufijtë e zonave të mbrojtjes nuk janë përcaktuar.
Nga “Eko-svest” thonë se institucioni që duhet të mbrojë natyrën është bllokuar në një vakum ligjor si pasojë e mosmiratimit të ligjit të ri për shpalljen e Mavrovës park kombëtar. Sipas organizatës, kjo bie ndesh drejtpërdrejt me qëllimet e Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës, mundëson veprim jotransparent dhe vë në pikëpyetje ligjshmërinë e aktiviteteve që zhvillohen në park.
Organizata i bën thirrje Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Qeverisë që të mos e injorojnë më këtë problem, duke theksuar se rishpallja e parkut kombëtar është detyrim ligjor.
Sipas “Eko-svest”, Ligji për Mbrojtjen e Natyrës përcakton qartë se të gjitha aktivitetet dhe ndërhyrjet në park, veçanërisht prerja e pyjeve, duhet të zhvillohen vetëm nëse parashikohen në Planin e Menaxhimit dhe Programin e Ekosistemit Pyjor, në zona të përcaktuara në mënyrë strikte dhe me kufizime për sipërfaqen dhe intensitetin e ndërhyrjeve.
“Këto ditë, në park po përgatitet një pastrim i ri pyjor për nevojat e ndërtimit të një hidrocentrali të vogël në lumin Ribniçka. Pati kritika të forta për këtë projekt nga komuniteti ndërkombëtar i ekspertëve dhe Konventa e Bernës, organizatat e shoqërisë civile maqedonase, si dhe popullsia lokale. Ky projekt jo vetëm që nuk shërben në funksion të mbrojtjes së vlerave natyrore të parkut, por është drejtpërdrejt i dëmshëm për menaxhimin e kësaj zone të mbrojtur. Një rishpallje urgjente e parkut është e nevojshme, sepse kjo është e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund këtij boshllëku ligjor, për të ndaluar aktivitetet e paligjshme dhe për të vendosur mbrojtje reale të pasurisë natyrore”, thotë Ana Çoloviq Lesoska, drejtoreshë ekzekutive e “Eko-svest”.
Ajo thekson se aktivitetet aktuale në Parkun Kombëtar të Mavrovës, përfshirë prerjen e pyjeve, po zhvillohen pa dokumentet e nevojshme strategjike, gjë që, sipas saj, është e paligjshme. Përveç kësaj, aktet themelore mbi bazën e të cilave funksionon parku, si statuti dhe programet e punës, nuk janë publikuar në faqen e tij të internetit, çka, sipas organizatës, tregon mungesë të qartë transparence.
Drejtori i Parkut Kombëtar të Mavrovës, Haris Ibraimi, thotë se deri më tani nuk është prerë apo shënuar asnjë pemë, por konfirmon se parku ka pranuar një kërkesë nga investitori i “Ribniçkës” për leje për prerjen e drurëve, me qëllim pastrimin e rrugës deri në vendndodhjen ku parashikohet ndërtimi.
Ibraimi thotë se, për të miratuar prerjen e drurëve, parku duhet të kërkojë dhe të marrë pëlqimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave, por një kërkesë e tillë ende nuk është dërguar.
“Nuk ka aktivitete në terren që lidhen me prerjen e drurëve për hidrocentralin e vogël. Ka një kërkesë nga investitori, por kjo procedurë mund të vazhdojë nëse Ministria jep pëlqimin. Parku do t’i shënojë pemët, ndërsa investitori do të duhet ta kryejë prerjen”, thotë Ibraimi.
Ai thekson se tre vjet më parë investitori ka paguar rreth shtatë milionë denarë në llogarinë e parkut si kompensim për prerjen e drurëve që parashikohet të bëhet për pastrimin e terrenit.
Ibraimi gjithashtu thekson se në maj të vitit të kaluar administrata e parkut dha mendim negativ për një pjesë të trasës së njërit prej dy tubacioneve të hidrocentralit të vogël, mendim që iu dërgua Ministrisë së Mjedisit.
Sipas tij, Ministrisë i është kërkuar gjithashtu të përgatisë një studim socio-ekonomik, së bashku me një strategji për zhvillimin e turizmit, në mënyrë që të vazhdojë procesi i rishpalljes së parkut, por deri më tani nuk është marrë përgjigje për këtë kërkesë.
Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës, në seancën e tij të fundit në dhjetor të vitit të kaluar, e shqyrtoi sërish rastin e Parkut Kombëtar të Mavrovës dhe arriti në përfundimin se ndërtimi i hidrocentraleve në territorin e tij vazhdon të përbëjë rrezik dhe se nuk është shënuar përparim në zbatimin e rekomandimeve që i janë dhënë vendit gjatë viteve të fundit, që nga hapja e çështjes së Mavrovës në vitin 2014.
Komiteti konstatoi se ende nuk janë miratuar ndryshimet në Ligjin për Ujërat, nuk është miratuar ligji i ri për mbrojtjen e natyrës, Parku Kombëtar i Mavrovës ende nuk është rishpallur dhe nuk janë anuluar të gjitha koncesionet për hidrocentralet. /Nistori/




