Njësia më e hapur e vetëqeverisjes lokale këtë vit është Kriva Pallanka, me shkallë hapjeje prej 73 për qind, e ndjekur nga Berova me 69 për qind, Demir Hisari me 68 për qind, ndërsa Manastiri, Dellçeva dhe Koçani kanë nga 67 për qind. Këto janë rezultatet e Indeksit të Hapjes për vitin 2026, të hartuar nga Fondacioni Metamorfozis dhe Koalicioni Rural. Në fund të listës renditen Studeniçani dhe Lozova, me vetëm 8 për qind, të paraprira nga Bogovina me 11 për qind, Sopishtja me 13 për qind dhe Vrapçishti me 14 për qind, përcjell Nistori.
Përfundimi i përgjithshëm i Indeksit të Hapjes për vitin 2026 është se njësitë e vetëqeverisjes lokale në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të kenë nivel të ulët të hapjes, me një mesatare prej 39 për qind. Pushtetet lokale arrijnë rezultatet më të mira në fushën e transparencës, me 47,8 për qind, ndërsa rezultatin më të dobët e kanë në fushën e ndërgjegjësimit, me 26 për qind.
Edhe pse ndryshimet në fusha të veçanta janë relativisht të vogla, rënia e transparencës dhe e aksesueshmërisë vlerësohet si shqetësuese, pasi këto fusha ndikojnë drejtpërdrejt në informimin e qytetarëve, pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrjen lokale dhe llogaridhënien publike.
Rezultatet konfirmojnë sërish se shkalla e hapjes nuk varet vetëm nga madhësia e komunës, numri i banorëve apo burimet financiare në dispozicion, por në masë të madhe edhe nga angazhimi institucional, procedurat e brendshme, menaxhimi aktiv dhe publikimi proaktiv i informacionit.
Në disa njësi të vetëqeverisjes lokale vazhdojnë të ketë periudha të gjata pa përditësimin e faqeve të internetit, informacione jo të plota ose seksione jofunksionale, si dhe mungesë të informacionit në të gjitha gjuhët zyrtare. Një numër i konsiderueshëm dokumentesh mungojnë, nuk përditësohen rregullisht ose publikohen në formate që kufizojnë përdorimin e tyre. Për këtë arsye, vlerësohet se duhet të publikohen sa më shumë të dhëna në format të hapur.
Përmirësimi thelbësor kërkon një qasje sistematike, përcaktim të qartë të përgjegjësive për përditësimin e informacionit dhe investim të vazhdueshëm në transparencë, llogaridhënie dhe përfshirjen e qytetarëve.
Hulumtimi, i realizuar në periudhën nga 1 shkurti deri më 30 qershor 2026, tregon se mesatarja e hapjes ka rënë nga 40 për qind në vitin 2025 në 39 për qind në vitin 2026, që paraqet një rënie të lehtë prej një pike përqindjeje. Pavarësisht shembujve pozitivë në disa komuna, rezultati tregon se vetëqeverisja lokale vazhdon të përballet me sfida të rëndësishme në krijimin e praktikave sistematike dhe të qëndrueshme të qeverisjes së mirë.
Nëpërmjet Indeksit të Hapjes për vitin 2026, Fondacioni Metamorfozis dhe Koalicioni Rural kanë hartuar edhe Vlerësimin e qeverisjes së mirë në njësitë e vetëqeverisjes lokale. Dokumenti përmban një analizë të thelluar të punës së pushteteve lokale, ofron një pasqyrë të performancës së tyre të përgjithshme dhe shoqërohet me një udhërrëfyes me rekomandime për përmirësimin e gjendjes.
Të gjeturat e Indeksit tregojnë se njësia më e hapur e vetëqeverisjes lokale edhe në vitin 2026 është Kriva Pallanka me 73 për qind. Pas saj renditen Berova me 69 për qind, Demir Hisari me 68 për qind, Manastiri, Dellçeva dhe Koçani me nga 67 për qind, Velesi me 65 për qind, Karposhi me 64 për qind dhe Gazi Baba me 61 për qind.
Në fund të renditjes janë Studeniçani dhe Lozova me nga 8 për qind. Pas tyre renditen Bogovina me 11 për qind, Sopishtja me 13 për qind, Vrapçishti me 14 për qind, Çuçer Sandeva me 16 për qind, Çairi me 18 për qind dhe Shuto Orizari me 19 për qind. Diferenca prej 65 pikësh përqindjeje ndërmjet komunës me rezultatin më të lartë dhe atyre me rezultatin më të ulët dëshmon për pabarazi të theksuara në zbatimin e parimeve të qeverisjes së mirë në nivel lokal.
Në vitin 2026, njësitë e vetëqeverisjes lokale kanë rezultatin mesatar më të lartë në fushën e transparencës, me 47,8 për qind, megjithëse ky rezultat është më i ulët krahasuar me vitin 2025, kur ishte 49 për qind. Pas transparencës renditet integriteti me 40,1 për qind, ku është shënuar një përmirësim i lehtë. Aksesueshmëria është vlerësuar me 33,6 për qind, duke shënuar një përkeqësim të lehtë krahasuar me 34 për qind në vitin 2025.
Fusha e ndërgjegjësimit vazhdon të ketë rezultatin mesatar më të ulët, me 26 për qind, ndonëse është shënuar një përmirësim i vogël krahasuar me matjen e mëparshme, kur rezultati ishte 24 për qind. Këto të dhëna tregojnë se pushtetet lokale gjatë vitit 2026 nuk kanë arritur të krijojnë një tendencë të qëndrueshme përmirësimi.
Indeksi vlerëson performancën e vetëqeverisjes lokale në fushën e qeverisjes së mirë përmes katër parimeve: transparencës, ndërgjegjësimit, aksesueshmërisë dhe integritetit.
Transparenca i referohet politikave, aktiviteteve dhe masave që njësitë e vetëqeverisjes lokale ndërmarrin për t’i informuar qytetarët për punën e tyre. Ndërgjegjësimi lidhet me cilësinë e planifikimit, programimit, monitorimit dhe vlerësimit të politikave të zbatuara nga autoritetet lokale. Aksesueshmëria vlerëson mënyrën e komunikimit të pushtetit lokal me qytetarët dhe përgjigjen ndaj nevojave të tyre, ndërsa integriteti lidhet me respektimin e vazhdueshëm të vlerave, parimeve dhe normave etike që synojnë t’i japin përparësi interesit publik ndaj atij privat.
Në të njëjtën kohë, të dhënat e hapura analizohen si një fushë e përbashkët në kuadër të të katër parimeve.
Për përmirësimin e hapjes, në kuadër të vlerësimit rekomandohet që njësitë e vetëqeverisjes lokale të vendosin procedura të brendshme për publikimin në kohë të të gjitha informacioneve që lidhen me ushtrimin e kompetencave të tyre. Ato duhet t’i përditësojnë rregullisht faqet e internetit dhe të sigurojnë funksionalitetin e tyre, si dhe disponueshmërinë e informacionit në të gjitha gjuhët që janë në përdorim zyrtar në komunën përkatëse.
Gjithashtu rekomandohet publikimi proaktiv dhe i drejtpërdrejtë i informacioneve për punën e këshillave komunalë, organeve dhe komisioneve të tyre, si dhe të ndërmarrjeve publike. Këtu përfshihen programet dhe raportet vjetore, buxhetet, prokurimet publike, të dhënat për financimin e projekteve, punësimet, pagat e funksionarëve dhe kompensimet e këshilltarëve.
Komunat duhet gjithashtu të hartojnë dhe publikojnë dokumente strategjike dhe programore që përmbajnë objektiva dhe rezultate të përcaktuara qartë, implikime buxhetore dhe tregues për matjen e rezultateve, si dhe të publikojnë rregullisht raporte për zbatimin e tyre.
Rekomandohet gjithashtu që proceset e politikëbërjes të planifikohen paraprakisht dhe të bëhen më të parashikueshme për qytetarët përmes publikimit të kalendarëve vjetorë të konsultimeve të planifikuara. Kërkohet publikimi i rregullt i thirrjeve për konsultime dhe dëgjime publike, si dhe i raporteve të detajuara pas përfundimit të konsultimeve, duke përfshirë komentet e qytetarëve dhe përgjigjet e institucioneve.
Në fund, theksohet nevoja që sa më shumë të dhëna të publikohen në format të hapur dhe grupet e të dhënave të jenë të disponueshme si në faqet e internetit të njësive të vetëqeverisjes lokale, ashtu edhe në portalin kombëtar të të dhënave të hapura. /Nistori/






