Rrezikoi motoristin rumun në rrugën për Theth, shoferi dënohet me gjobë dhe i merret patentë shoferi - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Rrezikoi motoristin rumun në rrugën për Theth, shoferi dënohet me gjobë dhe i merret patentë shoferi

    Insajderi
    06 September 2026 - 14:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pas publikimit të videos së një momenti të rrezikshëm në rrugën Shkodër–Theth, ku një motorist nga Rumania për pak sa nuk u përplas me një furgon që kishte hyrë në korsinë e kundërt, ka reaguar Policia Rrugore e Shkodrës.

    Në pamjet e publikuara më herët nga motoristi shihej se si, në një segment të ngushtë dhe me fushëpamje të kufizuar, një furgon Mercedes-Benz dhe një veturë tjetër kishin hyrë pjesërisht në korsinë e tij. Motoristi ishte detyruar të ngadalësonte menjëherë për të shmangur një përplasje të mundshme ballore.

    Pas publikimit të videos në rrjetet sociale, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore Shkodër nisën verifikimet për identifikimin e drejtuesit të furgonit.

    Policia njoftoi se ka arritur të identifikojë drejtuesin, shtetasin V. B., banues në Malësi të Madhe.

    Në përfundim të veprimeve, ndaj tij është vendosur masë administrative prej 6 mijë lekësh, për shkeljen e parashikuar në nenin 141, pika 10, të Kodit Rrugor.

    Përveç gjobës, drejtuesit i është pezulluar leja e drejtimit për gjashtë muaj, ndërsa i janë zbritur edhe 10 pikë nga leja e drejtimit.

    Rasti mori vëmendje pasi motoristi rumun kishte publikuar videon nga udhëtimi i tij drejt Thethit, duke përshkruar momentin si një situatë ku u detyrua të reagojë shpejt për të shmangur përplasjen.

    Ai kishte bërë thirrje për kujdes të shtuar në rrugët malore, duke u kërkuar drejtuesve të automjeteve të qëndrojnë në korsinë e tyre. 


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark