Rama: Çdo deputet që do fus dikë në punë me telefon do jetë vepër penale

“Çdo deputet që do të fusë dikë në punë me telefon do të konsiderohet vepër penale.” Kjo ishte deklarata e Kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, që po zhvillohet në Pallatin e Brigadave. Rama paralajmëroi se do të propozojë që…

“Çdo deputet që do të fusë dikë në punë me telefon do të konsiderohet vepër penale.”

Kjo ishte deklarata e Kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, që po zhvillohet në Pallatin e Brigadave.

Rama paralajmëroi se do të propozojë që ndërhyrjet e deputetëve për punësimin e personave përmes telefonatave apo mesazheve të konsiderohen vepër penale.

“Do ta propozoj këtë dhe do t’ju shoh të gjithëve në sy që ta votoni”, u shpreh Rama para deputetëve socialistë.

Kryeministri e lidhi këtë nismë me parimin e barazisë në aksesin ndaj institucioneve, duke argumentuar se deputetët nuk duhet të përdorin funksionin e tyre për t’u hapur dyer punësimi personave të caktuar.

“Çdo mesazh i çuar ‘fute këtë në punë’, ‘shife një cik atë’, do të konsiderohet vepër penale”, deklaroi Rama.

Sipas tij, një deputet që ndërhyn në këtë mënyrë nuk është i denjë të përfaqësojë qytetarët që nuk kanë akses personal tek ai.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama pritet të adresojë edhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e administratës publike dhe rolin e deputetëve socialistë.

The post Rama: Çdo deputet që do fus dikë në punë me telefon do jetë vepër penale appeared first on Euronews Albania.