Një rast i dyshuar korrupsioni është goditur në Maqedoninë e Veriut, ku në pranga ka përfunduar një punonjës i administratës qeveritare, i cili shërbente si shofer i një zyrtari të lartë.
Sipas Prokurorisë, i arrestuari dyshohet se i kishte kërkuar 1,500 euro një qytetari, duke pretenduar se kishte ndikim te zyrtarë të Qytetit të Shkupit dhe se mund t’i siguronte një vend pune në konkursin për pranimin e zjarrfikësve.
Qytetari e denoncoi rastin në polici, çka çoi në nisjen e hetimeve dhe organizimin e një operacioni të kontrolluar për dorëzimin e parave.
Më 4 shtator, i dyshuari u kap në flagrancë teksa merrte 500 euro, shumë që dyshohet se ishte pjesë e pagesës prej 1,500 eurosh të kërkuar për ndërhyrjen e pretenduar në procesin e punësimit.
Prokuroria ka nisur procedim penal ndaj tij për veprën “Pranimi i shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”, ndërsa gjykata ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë.
Autoritetet bëjnë me dije se i arrestuari ishte pjesë e Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ku ushtronte detyrën e shoferit të një funksionari të lartë qeveritar.













