Çdo vit, më shumë se 200 mijë njerëz zbresin në Berlin për IFA, panairin më të madh të teknologjisë në Evropë. Geek Room dhe Neptun do të jenë të pranishëm në edicionin e vitit 2027 në data 5-6 shtator, por si zakonisht, kompanitë kanë nisur të zbulojnë produktet më interesante që përpara hapjes zyrtare. Nga robotët humanoidë dhe konsolat portative, te laptopët ultra të lehtë, monitorët OLED dhe pajisjet smart home, këtë vit ka shumë për të parë.
LG CLOiD – roboti që synon të bëjë punët e shtëpisë

Një nga produktet më futuriste të IFA 2026 është LG CLOiD, roboti i shtëpisë që LG e sheh si një hap drejt një “Zero Labor Home”. Me dy krahë, kamera dhe navigim autonom, CLOiD është konceptuar për të kryer detyra si manipulimi i objekteve, përgatitja e ushqimit dhe menaxhimi i pajisjeve të shtëpisë.
Acer Project DualPlay Mini – konsolë që shndërrohet në laptop

Acer ka sjellë një prej koncepteve më të pazakonta të panairit. Project DualPlay Mini është një pajisje portative 8-inç që mund të kalojë nga një konsolë gaming në një mini-laptop. Ekrani rrotullohet për të zbuluar një tastierë fizike të ndriçuar, duke i dhënë pajisjes një përdorim plotësisht jashtë lojërave. Për momentin mbetet vetëm koncept.
Acer Predator Atlas 7 – më e vogël, por ende e fuqishme

Krahas konceptit, Acer po zgjeron linjën e saj me Predator Atlas 7, një konsolë Windows me ekran 7-inç Full HD dhe frekuencë 120Hz. Pajisja përdor platformën Intel Arc G-series, deri në 24GB RAM dhe kontrolle TMR, duke synuar përdoruesit që duan performancë PC në një format më kompakt.
iRobot Roomba Max 875 Combo
iRobot po rikthehet në qendër të vëmendjes me Roomba Max 875 Combo, modeli i ri flagship me një sistem të quajtur SealForce që përmirëson kontaktin me tapetin dhe rrit fuqinë e thithjes. Pajisja kombinon pastrimin me fshirjen me ujë, ndërsa sistemi ThermaMist përdor avull/mjegull të ngrohtë për të trajtuar njollat. Çmimi është 1,199 dollarë.
LG ThinQ Claw – chatbot-i që kontrollon shtëpinë

LG po e çon AI përtej chatbotëve tradicionalë me ThinQ Claw. Sistemi synon të kuptojë qëllimin dhe kontekstin e përdoruesit dhe më pas të koordinojë pajisjet dhe shërbimet e lidhura në shtëpi. Pra, në vend që të kontrollosh veçmas frigoriferin, furrën apo pajisjet e tjera, ideja është që AI të kuptojë kërkesën dhe të kryejë disa veprime vetë.
Alienware AW3226Q – OLED për lojtarët dhe profesionistët

Alienware sjell AW3226Q, një monitor 32-inç 4K tandem OLED me 165Hz dhe strukturë RGB stripe, e cila synon të përmirësojë qartësinë e tekstit krahas performancës së lartë në gaming. Kompania po përgatit gjithashtu AW2527HX, një monitor 25-inç QD-OLED me 560Hz, i orientuar drejt esports.
TP-Link Archer 8 Ultra – Wi-Fi 8 në horizont

TP-Link po përgatitet për gjeneratën e ardhshme të rrjeteve me Archer 8 Ultra, një router tri-band që synon standardin Wi-Fi 8. Kompania premton deri në 19Gbps përmes Wi-Fi dhe 10Gbps me kabllo, ndërsa sistemi mesh Deco 8 Ultra mund të mbulojë hapësira shumë të mëdha dhe mbi 200 pajisje të lidhura.
Me këto dhe shumë produkte të tjera, IFA 2026 duket se do të jetë më shumë sesa një panair klasik elektronik. AI po futet në shtëpi, robotët po bëhen më praktikë, ndërsa prodhuesit po eksperimentojnë me forma të reja për mënyrën se si luajmë, punojmë dhe konsumojmë teknologjinë.
Roboti i pastrimit nga Dreame

Dreame pritet të jetë një nga emrat më interesantë në sektorin e smart home në IFA 2026, me një gamë të re produktesh që synojnë ta çojnë automatizimin e shtëpisë në një tjetër nivel. Në qendër të vëmendjes do të jetë X60 Pro Ultra Complete, roboti premium i pastrimit me një dizajn elegant, fuqi të madhe pastrimi si dhe krahë mekanik të kontrolluar nga inteligjenca artificiale.
Midea

Midea do të sjellë në Berlin një numër të madh produktesh dhe zgjidhjesh të reja, duke e bërë stendën e kompanisë një tjetër ndalesë të rëndësishme për t’u ndjekur nga afër. Por përtej produkteve individuale, këtë vit Midea e vendos theksin te filozofia “Simply Ideal” – një qasje që synon të tregojë se teknologjia më e mirë është ajo që përshtatet natyrshëm me jetën e përditshme. Nga pajisjet inteligjente për shtëpinë te zgjidhjet që synojnë më shumë komfort dhe efikasitet, Midea pritet të prezantojë në IFA vizionin e saj për një shtëpi gjithnjë e më të lidhur dhe praktike.
TCL

TCL do të jetë një tjetër prej markave që do të ndjekim nga afër, veçanërisht për shkak të fokusit të saj te televizorët dhe teknologjitë e ekranit. Kompania vjen me një portofol të gjerë modelesh të vlerësuara nga EISA Awards, duke nisur nga TCL 98X11L SQD-Mini LED TV, i vlerësuar si “EISA STATEMENT TV”, te 85RM9L RGB-Mini LED, 75C8L SQD-Mini LED dhe 65C7L, i cili mban çmimin “EISA Best Buy Mini LED TV”. Lista shtrihet edhe në audio, me TCL A65K Soundbar dhe sistemin wireless Z100/Z100-SW, duke treguar se TCL nuk po synon vetëm të ndërtojë ekrane më të mëdha e më të avancuara, por një ekosistem të plotë argëtimi për shtëpinë.
Miele
Te Miele, fokusi i IFA 2026 është edhe më ambicioz: “T’i japë fund punëve të shtëpisë”. Kompania gjermane do të prezantojë teknologji që nuk synojnë vetëm të automatizojnë punët e shtëpisë, por edhe të marrin përsipër vendimet që zakonisht duhet t’i bëjë përdoruesi.
Një prej risive kryesore është G8 Diamond, lavastovilja e re premium që përdor një kamerë të integruar për të identifikuar ngarkesën dhe për të përshtatur automatikisht ciklin e larjes, dozën e detergjentit dhe tharjen. Në kuzhinë, CulinaryCoach përdor AI për të ndihmuar me recetat dhe cilësimet e furrës, ndërsa koncepti Cary tregon vizionin e Miele për një të ardhme ku lavatriçja mund të kuptojë vetë llojin e rrobave dhe të zgjedhë programin e duhur.

