Grupi misterioz CYBERLEEK, i cili është bërë i njohur për publikimin e informacioneve paraprake nga GTA 6, ka lëshuar një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Rockstar Games dhe Take-Two Interactive. Grupi pretendon se zotëron një version të plotë të lojës dhe paralajmëron se mund ta publikojë atë nëse kompanitë vijojnë përpjekjet për ta identifikuar dhe ndaluar.
Sipas CYBERLEEK, kopje të build-it të plotë të GTA 6 janë ruajtur në pajisje dhe serverë të ndryshëm në vende të botës, duke e bërë, sipas tyre, të pamundur sekuestrimin e materialit. Grupi pretendon gjithashtu se ka grumbulluar shuma të konsiderueshme në kriptomonedha gjatë gjithë situatës.
Kërcënimi vjen në një moment kur beteja ligjore është përshkallëzuar. Take-Tëo ka kërkuar të dhëna nga Microsoft dhe Discord, në përpjekje për të zbuluar identitetin e personave pas CYBERLEEK. Ndërkohë, grupi ka publikuar edhe klipin e shtatë të rrjedhur nga GTA 6.

Në deklaratën e tij, CYBERLEEK thotë se publikimi i lojës aktualisht po “anulohet” çdo ditë dhe se, nëse grupi hesht ose ndodh diçka me të, procesi do të ndalet automatikisht. Sipas tyre, kjo do të mundësonte që brenda pak ditësh GTA 6 të ishte në kompjuterët e miliona lojtarëve.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kërcënimi është real apo pjesë e një fushate më të madhe. Deri tani, rrjedhjet nuk kanë zbuluar elemente kritike të historisë, por kryesisht mekanika gameplay dhe pjesë të botës së hapur.
Madje, në komunitet qarkullojnë teori se CYBERLEEK mund të jetë pjesë e një strategjie marketingu të Rockstar. Një teori edhe më e çuditshme sugjeron se grupi mund të shfaqet si element brenda vetë GTA 6. Për momentin, këto mbeten vetëm spekulime, ndërsa përplasja mes CYBERLEEK dhe Rockstar vazhdon.

