Nëse mendoni se CUKTECH në IFA 2026 ka ardhur vetëm me disa karikues të rinj, stenda e kompanisë në Berlin na tregoi se historia është shumë më interesante. Përveç një linje karikuesish me fuqi të lartë, CUKTECH po bën një hap të papritur drejt robotikës së veshshme me Power Exoskeleton Kit. Geek Roomdhe Neptun panë nga afër risitë e kompanisë dhe këto janë produktet që na tërhoqën më shumë vëmendjen.
CUKTECH Power Exoskeleton Kit

Pa diskutim, produkti që na bëri më shumë kuriozë ishte Power Exoskeleton Kit. Ky është eksoskeleti i parë i CUKTECH dhe, ndryshe nga shumë pajisje të kësaj kategorie, energjinë e merr nga një power bank i jashtëm. Me peshë vetëm 2.5 kg dhe konstruksion prej fibrash karboni, duket i menduar për t’u përdorur edhe jashtë ambienteve laboratorike. Sensorët dallojnë lëvizjet e përdoruesit dhe përshtatin asistencën në kohë reale, ndërsa kompania premton deri në 35% asistencë në lëvizje dhe shpejtësi deri në 18 km/h. CUKTECH e sheh atë si një pajisje për hiking, vrapim, ngjitje shkallësh, misione kërkim-shpëtim dhe madje rehabilitim.
CUKTECH 30 Ultra Power Station

Nëse kemi një produkt që duket sikur është ndërtuar posaçërisht për gaming, ky është 30 Ultra Power Station. Në stendë, ajo që bie menjëherë në sy është fuqia 300W përmes portës DC, e mjaftueshme për të furnizuar laptopë gaming me performancë të lartë. Përveç saj kemi dy USB-C me deri në 140W, USB-A dhe mbështetje për 13 protokolle karikimi. Ekrani IPS 1.83-inç shfaq në kohë reale fuqinë dhe temperaturën, ndërsa sistemi inteligjent shpërndan energjinë sipas pajisjes që ka më shumë nevojë.

CUKTECH 10 Ultra Power Charger
10 Ultra është shumë më i vogël, por nuk është aspak modest në specifika. Ky karikues GaN ofron deri në 100W dhe mund të furnizojë njëkohësisht katër pajisje përmes tre USB-C dhe një USB-A. Në përdorim të përditshëm, ideja është mjaft praktike: një karikues i vetëm për laptopin, telefonin, tabletin dhe kufjet. Ekrani 1.57-inç tregon fuqinë e karikimit, ndërsa katër mënyrat inteligjente menaxhojnë automatikisht energjinë.
CUKTECH Desktop Charging Station me Omni Screen
Produkti tjetër që na tërhoqi vëmendjen ishte Desktop Charging Station me Omni Screen. CUKTECH ka marrë idenë e një karikuesi desktop dhe e ka kthyer në një qendër të vogël smart. Ka 120W fuqi totale, tre USB-C, USB-A dhe dy priza AC, ndërsa pjesa më interesante është Omni Screen i shkëputshëm. Ekrani 2.8-inç lidhet magnetikisht me stacionin dhe tregon të dhëna si fuqia dhe tensioni përmes një rrotulle fizike. Me Wi-Fi dhe integrim me Mi Home, është një nga produktet më ndryshe të CUKTECH në këtë panair.
Nga ajo që pamë në Berlin, CUKTECH po përpiqet të dalë nga kategoria klasike e karikuesve. Dhe nëse 30 Ultra tregon se kompania kërkon më shumë fuqi, Power Exoskeleton tregon se ambiciet e saj për të ardhmen janë dukshëm më të mëdha.

