Këshilli Bashkiak i Bulqizës zhvilloi këtë të premte mbledhjen e radhës, e cila nisi me rreth 40 minuta vonesë dhe u zhvillua në praninë e 13 anëtarëve të këshillit. Në rendin e ditës ishin 12 pika, ndërsa të gjitha projektvendimet u miratuan me 11 vota pro.
Në fokus të mbledhjes ishin dy dokumente financiare me ndikim në buxhetin e vitit 2026. Kjo për miratimin e ndryshimit të buxhetit 2026, të cilat parashikojnë financimin e investimeve të reja, rishpërndarjen e fondeve ekzistuese dhe shtimin e të ardhurave të bashkisë.
Sipas relacioneve shoqëruese, ndryshimet në buxhet sjellin tre investime kryesore. Së pari është sistemim-asfaltimi i rrugës së fshatit Dushaj, në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë, me një fond total prej 27 milionë lekësh me TVSH. Projekti është planifikuar të financohet nga buxheti në tre vite. Sipas drejtorit të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, Albin Bodini, rruga do të nisë nga lagjja “Kodra e Danit”, pranë shkollës fillore, dhe do të përfundojë në qendër të fshatit, me një gjatësi rreth 1.3 kilometra. Ai sqaroi se degëzimet nuk janë përfshirë në projektin e asfaltimit, përveç rasteve që do të konsiderohen me rëndësi të veçantë.
Dokumenti i dytë parashikon edhe 11.8 milionë lekë për shërbime projektimi të investimeve që do të realizohen në vitin 2027. Nga kjo shumë, 5 milionë lekë do të shpenzohen gjatë këtij viti, ndërsa pjesa tjetër prej 6.8 milionë lekësh gjatë vitit të ardhshëm. Këto fonde, në relacion thuhet se do të përdoren për hartimin e projekteve teknike dhe studimeve paraprake për investimet e ardhshme të bashkisë.
Një tjetër ndërhyrje e rëndësishme është rehabilitimi i digës së rezervuarit të Shtushajt, me një fond total prej 19,298,891 lekësh me TVSH. Financimi do të realizohet nga dy burime: 11,067,975 lekë nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe 8,230,916 lekë nga fondi i emergjencave civile të Bashkisë Bulqizë. Sipas relacionit, investimi synon rritjen e sigurisë së digës dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë vaditës për sipërfaqet bujqësore të zonës.
Gjatë diskutimit të investimeve, këshilltarët e opozitës kundërshtuan miratimin e fondeve pa u paraqitur më parë projektet e detajuara teknike. Sipas tyre, këshilli nuk mund të votojë vlera milionëshe kur mungojnë dokumentet që përcaktojnë qartë shtrirjen e investimit, pikën e nisjes dhe të përfundimit të punimeve, si edhe ndërhyrjet konkrete që do të realizohen. Ata kërkuan që projektet e plota të bëhen pjesë e materialeve të mbledhjes përpara se të hidhen për votim fondet përkatëse.
Si ndryshon buxheti i vitit 2026
Relacioni financiar shpjegon se për të financuar këto investime bashkia ka kryer një sërë lëvizjesh brenda buxhetit.
Fillimisht, fondi i emergjencave civile është ulur me 4 milionë lekë, të cilat janë transferuar në zërin “Shpenzime të tjera”. Sipas dokumentit, kjo lidhet me faktin se gjatë vitit këshilli kishte miratuar tre ndihma financiare për qytetarë në nevojë: dy ndihma nga 500 mijë lekë secila dhe një ndihmë prej 3 milionë lekësh, duke e tejkaluar fondin e planifikuar fillimisht për emergjencat.
Më pas, për financimin e rehabilitimit të digës së Shtushajt është përdorur një tjetër pjesë e fondit të emergjencave, në vlerën 5,230,916 lekë.
Paralelisht, bashkia ka ulur edhe disa zëra të tjerë të buxhetit, kryesisht shpenzime operative dhe paga, me një vlerë totale prej 6,280,414 lekësh, ndërsa financimi është plotësuar edhe nga 15,165,750 lekë të ardhura të arkëtuara nga tarifat e pyjeve dhe kullotave, si dhe nga një transfertë prej 1,399,304 lekësh nga Ministria e Financave.
Një fond tjetër prej 1,095,000 lekësh, gjithashtu i transferuar nga Ministria e Financave, është destinuar për paga dhe sigurime shoqërore në funksionin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit.
Gjatë mbledhjes, përfaqësuesi i zyrës së financave sqaroi se, pas të gjitha këtyre ndryshimeve, fondi i emergjencave civile mbetet në dispozicion në vlerën 17 milionë lekë.
Gjatë diskutimit të projektvendimit për ndryshimet në buxhet, këshilltarët e opozitës kundërshtuan mënyrën se si administrata po paraqet për miratim ndryshimet financiare, duke argumentuar se vendime me natyrë të ndryshme po bashkohen në një dokument të vetëm. Sipas tyre, fondet për ndihmën financiare, ndryshimet në fondin e emergjencave civile apo rialokimet e tjera buxhetore nuk duhet të “fshihen” brenda projektvendimeve që lidhen me investimet në asfaltim rrugësh apo vepra të tjera publike. Opozita kërkoi që çdo ndryshim me ndikim të veçantë në buxhet të paraqitet me projektvendim më vete, në mënyrë që këshilltarët të kenë mundësi ta shqyrtojnë dhe ta votojnë secilin rast në mënyrë të pavarur.
Opozita: Peticionet e qytetarëve vazhdojnë të mos marrin përgjigje
Në nisje të diskutimeve, këshilltarët e opozitës përsëritën kritikat e tyre ndaj administratës së bashkise dhe drejtuesit të Këshillit Bashkiak, duke deklaruar se kërkesat dhe peticionet e qytetarëve vazhdojnë të mbeten pa përgjigje.
“Janë shqetësime që i kemi ngritur në çdo mbledhje dhe ende nuk kemi marrë përgjigje konkrete për ankesat dhe peticionet e qytetarëve”, u shprehën përfaqësuesit e opozitës.
Gjatë pikës “Të ndryshme”, këshilltari Shkëlqim Begu ngriti shqetësimin për bagëtitë që lëvizin lirshëm në qytet, duke kërkuar masa ndëshkuese ndaj pronarëve.
“Lopët dalin nëpër lagje dhe janë kthyer në problem serioz”, tha ai.
Kryetarja e Bashkisë, Festime Mjeshtri, u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes me konsumimin e qumështit të lopëve që enden lirshëm në qytet dhe ushqehen me mbeturinat e kazanëve. Ajo kërkoi gjithashtu ndërgjegjësimin e pronarëve dhe marrjen e masave për të shmangur këtë fenomen.
Kryetari i Këshillit Bashkiak, Arben Çupi, propozoi që në diskutime të tilla të marrë pjesë edhe një mjek, për të informuar banorët mbi rreziqet shëndetësore që mund të sjellë konsumimi i qumështit në kushte të papërshtatshme.
Përfaqësues të këshillit ngritën gjithashtu shqetësimin për mungesën e zgjidhjes së ujit vaditës në Vajkal, mungesën e të dhënave për sëmundjet e bagëtive dhe nevojën për një plan të qartë urbanistik për sinjalistikën rrugore.
Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, drejtori Albin Bodini deklaroi se bashkia nuk ka strukturë projektimi në organikë dhe se projektet do të hartohen nga ekspertë të jashtëm. Sipas tij, konsultimi publik për këto projekte mund të organizohet nga Këshilli Bashkiak nëse e konsideron të nevojshme.
Gjatë diskutimeve për buxhetin, përfaqësuesi i administratës bëri të ditur se në muajin mars janë arkëtuar qiratë e tokave për dy projekte fotovoltaike, ndërsa për projekte të tjera nuk ka ende informacion. Ai shtoi se skema e uljes së taksave vendore ka dhënë rezultat dhe se shumica e qytetarëve kanë shlyer detyrimet.
Kritika për Policinë Bashkiake
Raporti gjashtëmujor i Policisë Bashkiake u shoqërua me kritika nga opozita, e cila e cilësoi zënien e hapësirave publike me dru, materiale ndërtimi dhe mbeturina si një nga problemet më të mëdha.
Këshilltarët kërkuan që gjatë sezonit veror policia bashkiake të funksionojë me dy turne, duke argumentuar se një turn i vetëm nuk është i mjaftueshëm për kontrollin e territorit.
Ata akuzuan gjithashtu Policinë Bashkiake se nuk po ushtron kompetencat për trafikun dhe vendosjen e gjobave administrative, duke ia lënë këtë përgjegjësi Policisë së Shtetit.










