Këshilltarët e Klosit kërkojnë mbledhje të jashtëzakonshme kundër shkrirjes së bashkisë

437
Godina e Bashkisë Klos. Foto: Bulqizaime.al

Një e treta e anëtarëve të Këshillit Bashkiak Klos kanë depozituar një kërkesë zyrtare për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme, ku pritet të diskutohet qëndrimi institucional i këshillit ndaj projektit të reformës administrativo-territoriale që parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat.

Kërkesa i është drejtuar kryetares së Këshillit Bashkiak, Hazbie Dedolli, dhe mbështetet në nenin 53 të Ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i cili i jep të drejtën të paktën një të tretës së këshilltarëve të kërkojnë zhvillimin e një mbledhjeje të jashtëzakonshme. Në dokument thuhet se ndryshimet e propozuara prekin drejtpërdrejt interesat e komunitetit, identitetin historik dhe institucional të Klosit, përfaqësimin e qytetarëve dhe zhvillimin e zonës.

Këshilltarët propozojnë që në mbledhje të shqyrtohet ndikimi i reformës, të miratohet një rezolutë zyrtare kundër shkrirjes së Bashkisë Klos, kjo rezolutë t’u dërgohet Kuvendit, Këshillit të Ministrave dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, si edhe të organizohen konsultime publike me qytetarët në të gjitha njësitë administrative të bashkisë.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, nënkryetari i Këshillit Bashkiak Klos, Edison Leti, një nga nismëtarët e kërkesës, u shpreh se iniciativa synon mbrojtjen e Bashkisë Klos dhe të ardhmes së komunitetit. Ai theksoi se kjo nuk është një çështje politike, por një interes që prek çdo familje dhe çdo banor të Klosit, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve, shoqërisë civile dhe bizneseve të bashkohen në mbrojtje të bashkisë dhe të marrin pjesë në protestat kundër projektit të reformës.

Këshilli Bashkiak Klos përbëhet nga 21 anëtarë. Nëse mbledhja zhvillohet, pritet të jetë qëndrimi i parë zyrtar institucional i Këshillit Bashkiak Klos lidhur me reformën e re administrativo-territoriale.

REKLAMË