U inaugurua si shpëtim për bujqësinë, por nuk vaditi asnjë ditë – Investimi afro 190 mijë euro në Liqenin e Thatë mbetet jashtë funksionit

1039
Kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, së bashku me drejtues të tjerë të bashkisë, gjatë inaugurimit të investimit në Liqenin e Thatë në qershor 2024, ku u hap simbolikisht rubineti i sistemit të ri të vaditjes. Sipas banorëve, vepra nuk është vënë asnjëherë në funksion për vaditje. Foto: Facebook/Festime Mjeshtri

Një ditë në mesin e qershorit të vitit 2024, kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, e shoqëruar nga drejtues të tjerë të institucionit, udhëtoi drejt Malit të Duriçit për të inspektuar një prej investimeve që bashkia e konsideronte ndër më të rëndësishmit për bujqësinë e zonës. Në qendër të vizitës ishte diga e betonuar e Liqenit të Thatë, pjesë e projektit për rehabilitimin e sistemit vaditës të Vajkalit.

Në mënyrë simbolike, gjatë inspektimit u hap edhe rubineti nga i cili rridhte uji, ndërsa investimi u prezantua si një vepër që do t’i jepte fund problemeve shumëvjeçare të vaditjes në zonë.

Në postimin e publikuar në rrjetet sociale, kryetarja e bashkisë e përshkruante Liqenin e Thatë si një rezervuar me sipërfaqe ujore prej 4 hektarësh, në një lartësi prej 1800 metrash mbi nivelin e detit, me një kapacitet grumbullues prej rreth 80 mijë metra kub ujë.

Sipas saj, pas 30 vitesh, kjo vepër ishte rikthyer në funksion dhe do të siguronte ujitjen e rreth 100 hektarëve tokë bujqësore në zonat Vajkal 1 dhe Vajkal 2, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e prodhimit bujqësor dhe mirëqenien e komunitetit.

Por, më shumë se dy vite më vonë, realiteti në terren rezulton krejt ndryshe.

Investimi nuk është përdorur asnjëherë për vaditje. Banorët: Problemi ka nisur që në projektim

Sipas banorëve të Vajkalit dhe diskutimeve të zhvilluara në mbledhjet e Këshillit Bashkiak Bulqizë, sistemi nuk është vënë asnjë ditë në funksion për qëllimin për të cilin u ndërtua.

Edhe këtë verë, një pjesë e fermerëve vazhdojnë të përdorin ujin e pijshëm të rrjetit që furnizon qytetin e Bulqizës për të ujitur tokat bujqësore, pasi sistemi i ri i vaditjes nuk funksionon.

Çështja është ngritur në mënyrë të përsëritur në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, përfshirë edhe mbledhjen e fundit, ku banorët kërkuan shpjegime për fatin e një investimi që ka kushtuar miliona lekë, por që nuk ka prodhuar asnjë rezultat praktik.

Sipas tyre, askush nuk ka dhënë ende një përgjigje të qartë se kur apo nëse ky investim do të vihet ndonjëherë në funksion.

Disa banorë të kontaktuar nga Bulqizaime.al shprehen se problemi nuk lidhet vetëm me mosfunksionimin aktual, por me vetë mënyrën se si është konceptuar projekti.

Sipas tyre, Liqeni i Thatë grumbullon sasi të konsiderueshme uji gjatë dimrit dhe pranverës, por gjatë muajve të verës thahet pothuajse plotësisht, duke mos krijuar rezervën ujore të nevojshme për sezonin e vaditjes.

Ata argumentojnë se një projekt i mirëfilltë duhej të parashikonte izolimin e gjithë shtratit të liqenit, në mënyrë që uji të ruhej gjatë gjithë vitit dhe të krijonte rezervat e nevojshme për muajt e verës.

“Në këtë mënyrë investimi do të kishte kuptim. Përndryshe, gjatë verës nuk ka ujë për të shpërndarë,” shprehen banorët.

Shqetësime edhe për sigurinë e digës

Një tjetër shqetësim i ngritur nga banorët lidhet me vetë digën e ndërtuar në Liqenin e Thatë.

Sipas tyre, gjatë dimrit rezervuari mund të mbushet me sasi të mëdha uji, duke krijuar presion mbi strukturën e betonit.

Ata theksojnë se ndërtimi i digave kërkon studime të detajuara hidrologjike, gjeologjike dhe projektim të specializuar, ndërsa ngrejnë pikëpyetje nëse në këtë rast janë respektuar të gjitha procedurat teknike.

Diga e betonuar e ndërtuar në Liqenin e Thatë, pjesë e projektit “Rehabilitim Kanali Ujitës (Sifoni) Vajkal”. Banorët thonë se investimi prej afro 19 milionë lekësh nuk ka shërbyer asnjëherë për vaditjen e tokave bujqësore dhe ngrenë shqetësime edhe për projektimin dhe sigurinë e veprës. Foto: Facebook/Festime Mjeshtri

Banorët pretendojnë gjithashtu se nuk kanë dijeni që objekti të jetë inspektuar apo certifikuar nga Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha (KKDM), institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen dhe kontrollin shtetëror të sigurisë së digave dhe dambave në Shqipëri.

Pretendimet e tyre nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga institucionet përgjegjëse.

Në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, përfaqësues të Bashkisë Bulqizë nuk kanë dhënë një afat se kur sistemi do të vihet në funksion.

Sipas diskutimeve në këshill, investimi është konsideruar ende si një objekt që nuk është marrë në dorëzim nga bashkia, çka lë të paqartë statusin përfundimtar të veprës dhe arsyet e mosfunksionimit.

Projekti parashikonte vaditjen e deri në 200 hektarëve

Sipas dokumentacionit teknik të projektit, objekti “Rehabilitimi i Kanalit Ujitës (Sifoni) Vajkal 1 & 2” ishte konceptuar për të rehabilituar një sistem vaditës të ndërtuar që në vitet 1950 dhe pothuajse të amortizuar.

Relacioni teknik parashikonte rehabilitimin e rreth 1.530 metrave kanal ujitës, zëvendësimin e tubacioneve metalike të amortizuara, ndërtimin e rrjetit shpërndarës dhe garantimin e ujitjes së deri në 200 hektarëve tokë bujqësore në zonën e Vajkalit.

Burimet kryesore të ujit do të ishin Liqeni i Duriçit dhe Liqeni i Thatë, me prurje të projektuara që sipas projektuesve do të garantonin furnizimin me ujë gjatë sezonit të vaditjes.

Tenderi për rehabilitimin e kanalit ujitës u shpall nga Bashkia Bulqizë në fund të vitit 2022 me fond limit 16.9 milionë lekë pa TVSH.

Në garë morën pjesë pesë operatorë ekonomikë, ndërsa fitues u shpall shoqëria S.M.O. UNION sh.p.k.

Kontrata u nënshkrua më 8 mars 2023, me një vlerë prej 18,948,442 lekësh me TVSH, ndërsa afati i zbatimit ishte 153 ditë pune.

Sipas të dhënave të Thesarit të Shtetit, Bashkia Bulqizë gjatë vitit 2023 dhe 2024 ka kryer tre pagesa ndaj kompanisë zbatuese, me një vlerë totale prej 14,921,599 lekësh.

REKLAMË