Kanë nisur punimet për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës së lagjes Nasufe, në fshatin Okshatin të Njësisë Administrative Shupenzë. Nisja e punimeve u bë publike nga Bashkia Bulqizë përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku u publikuan edhe pamje nga terreni.
Sipas dokumenteve zyrtare të prokurimit publik, investimi është pjesë e procedurës me objekt “Sistemim asfaltim i disa rrugëve të lagjeve të Njësisë Administrative Shupenzë”, me fond limit prej 32.5 milionë lekësh pa TVSH. Projekti synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore në disa lagje të kësaj njësie administrative.
Tenderi u zhvillua me procedurë të hapur dhe u fitua nga kompania LIS KONSTRUKSION, e cila paraqiti ofertën prej 23,363,313.94 lekësh pa TVSH, rreth 9.1 milionë lekë më të ulët se fondi limit i përcaktuar nga autoriteti kontraktor. Në garë morën pjesë gjithsej 11 operatorë ekonomikë, ndërsa dy prej tyre u skualifikuan për shkak të mangësive në dokumentacionin e kërkuar.
Dokumentet e procedurës tregojnë se operatori ekonomik që paraqiti ofertën më të ulët nuk u shpall fitues, pasi u skualifikua për mosplotësim të kritereve të tenderit.
Sipas kontratës, afati për realizimin e punimeve është dy muaj nga nisja e zbatimit. Financimi i projektit është planifikuar të shtrihet në tre vite buxhetore, me 9.75 milionë lekë të parashikuara për vitin 2026, 13 milionë lekë për vitin 2027 dhe 9.75 milionë lekë për vitin 2028. Procedura e prokurimit nuk është shoqëruar me ankesa pas shpalljes së fituesit.










