Zëvendësdrejtori i Kadastrës së Dibrës, Danjel Gjura, është arrestuar nga policia pas rreth një muaji në arrati, pasi ndaj tij janë ngritur akuza për “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve”, njoftuan autoritetet.
Gjura, i cili më herët ka mbajtur edhe postin e drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Dibër, u vu në pranga mbrëmjen e së martës.
Arrestimi i tij vjen pas një hetimi të autoriteteve për një skemë të dyshuar të falsifikimit të dokumenteve të pronësisë në Dibër, ku janë përfshirë edhe zyrtarë të tjerë të Kadastrës.
Më 17 qershor, Policia e Dibrës bëri të ditur se kishte zbardhur, pas një hetimi rreth shtatëmujor, një grup veprimesh të dyshuara kriminale që lidhen me falsifikimin e dokumenteve të pronësisë. Sipas policisë, në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë tetë zyrtarë të tjerë të Kadastrës, si dhe një notere.
Sipas hetimeve të bëra publike nga autoritetet, dokumentet e falsifikuara dyshohet se janë përdorur me qëllim përfitimin e një prone nga shtetasi Teshar Doçi, i cili u arrestua së bashku me një familjar të tij. Gjykata e Dibrës vendosi gjithashtu masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për bashkëshorten e Doçit.
Gjura ka kandiduar edhe për deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 nën siglën e Partisë Socialiste.










