Qeveria ka hartuar një projektligj të ri për shërbimet e kujdesit social, i cili parashikon një riorganizim të sistemit dhe zgjerim të përgjegjësive administrative e financiare të njësive të vetëqeverisjes vendore.
Projektligji përcakton se bashkitë do të jenë përgjegjëse për identifikimin dhe vlerësimin periodik të nevojave sociale të popullsisë, hartimin dhe miratimin e Planeve Sociale Vendore, planifikimin e buxheteve, organizimin dhe financimin e shërbimeve sociale në territorin e tyre. Bashkitë do të duhet gjithashtu të sigurojnë ofrimin e shërbimeve, drejtpërdrejt ose përmes kontraktimit të ofruesve të licencuar.
Një nga ndryshimet kryesore është detyrimi për krijimin dhe administrimin e Fondit Social Vendor. Sipas projektligjit, ky fond do të përbëhet nga fondet e buxhetit vendor, transfertat nga buxheti i shtetit, fondet e programeve kombëtare, si edhe donacionet dhe burime të tjera të ligjshme. Fondi do të përdoret për financimin e shërbimeve ekzistuese, ngritjen e shërbimeve të reja dhe kontraktimin e organizatave ose ofruesve të licencuar.
Reforma synon gjithashtu zhvendosjen graduale të kujdesit social drejt familjes dhe komunitetit. Projektligji i jep përparësi shërbimeve komunitare dhe në familje, përfshirë shërbimet lëvizëse, kujdesin në banesë, mbështetjen për jetesë të pavarur dhe forma të tjera të asistencës sociale, ndërsa shërbimet rezidenciale parashikohen të përdoren kur mbështetja në familje ose komunitet nuk është e mjaftueshme.
Megjithatë, një nga çështjet që mbetet e paqartë është ndikimi financiar i reformës. Projektligji zgjeron ndjeshëm përgjegjësitë e bashkive për planifikimin, organizimin, financimin dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve, por relacioni shoqërues nuk jep një përllogaritje konkrete të kostos së përgjithshme të reformës apo të fondeve shtesë që mund të nevojiten për njësitë vendore.
Dokumenti parashikon që financimi i shërbimeve të lidhet me llojin e tyre, standardet, kostot dhe nivelin e nevojave të përfituesve, ndërsa burimet financiare do të sigurohen përmes strukturave dhe programeve përkatëse të financimit. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse bashkitë do të përfitojnë financim shtesë për përgjegjësitë e reja apo nëse një pjesë e kostos do të duhet të përballohet nga buxhetet aktuale vendore.
Projektligji synon të zëvendësojë ligjin nr. 121/2016 “Për shërbimet e kujdesit shoqëror”, duke vendosur një kuadër të ri për organizimin, financimin dhe ofrimin e shërbimeve sociale në vend. Ndërkohë, ofruesit ekzistues të shërbimeve do të duhet të përshtaten me kërkesat dhe standardet e reja që do të përcaktohen përmes kuadrit të ri ligjor.










