
Lajmi për situatën e krijuar te Vllaznia e Femrave është shqetësues për të gjithë Shkodrën.
Po flasim për një skuadër që prej vitesh dominon futbollin shqiptar të femrave dhe që ka përfaqësuar me dinjitet Shkodrën dhe Shqipërinë në arenën europiane. Një histori e tillë nuk mund të vihet sot në pikëpyetje.
Në këtë rrugëtim, kontributi i Lazër Matijës është i padiskutueshëm. Për 13 vite ai i ka kushtuar këtij ekipi kohë, energji, financa dhe mbi të gjitha pasion. Rezultatet flasin vetë. Prandaj do të doja që vendimi i tij për t’u larguar të rishikohej dhe që të bëhej çdo përpjekje për ta mbajtur pranë Vllaznisë së Femrave.
Por njëkohësisht duhet të kuptojmë se e ardhmja e një ekipi kaq të rëndësishëm nuk mund të varet vetëm nga sakrifica e një njeriu.
Bashkia Shkodër, Federata Shqiptare e Futbollit dhe të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë duhet të ulen sa më parë së bashku dhe të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme për financimin, organizimin dhe vazhdimësinë e skuadrës.
Vllaznia e Femrave është një krenari e Shkodrës dhe duhet ta trajtojmë si të tillë.
Lazër Matija meriton mbështetje për të vazhduar atë që ka ndërtuar, ndërsa vajzat e Vllaznisë meritojnë sigurinë se historia e tyre do të vazhdojë.




