Gaza mban funeralin e 100 palestinezëve të nxjerrë nga rrënojat e shtëpive të shkatërruara…

Shpërndaje

Një procesion mortor u zhvillua të dielën në lagjen Zeitoun të Qytetit të Gazës, ku u përcollën për në banesën e fundit 100 palestinezë, trupat dhe mbetjet mortore të të cilëve u nxorën ditët e fundit nga rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Në ceremoninë e organizuar pranë rrënojave morën pjesë mijëra persona, mes tyre familjarë të viktimave, përfaqësues të komunitetit dhe figura politike. Trupat u vendosën në një hapësirë të hapur dhe u mbuluan me flamuj palestinezë.

Gjatë ceremonisë u mbajtën fjalime përkujtimore nga përfaqësues të Mbrojtjes Civile të Gazës, ekipet e së cilës kanë qenë të angazhuara në kërkimin dhe nxjerrjen e trupave, si dhe nga familjarët e viktimave dhe drejtues të komunitetit.

Pas faljes së namazit të xhenazes, trupat pritet të varrosen në varrezat Al-Ahli, në të njëjtën lagje.

Nxjerrja e viktimave është pjesë e fazës së dytë të një operacioni që synon gjetjen e palestinezëve që vazhdojnë të jenë nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara gjatë luftës. Kjo fazë nisi më 19 korrik dhe po zhvillohet me kapacitete të kufizuara, për shkak të mungesës së makinerive të rënda dhe pajisjeve të përshtatshme.

Sipas autoriteteve lokale, viktimat i përkisnin familjeve Rahim, Balawi, Malaka, Qanbour dhe Salmi. Ata humbën jetën gjatë goditjeve ndaj banesave të tyre rreth dy vjet e gjysmë më parë.

Faza e dytë e operacionit parashikon rreth 800 orë punë në 147 banesa të shkatërruara në Qytetin e Gazës dhe në zona të tjera veriore e qendrore të enklavës. Sipas vlerësimeve të autoriteteve, rreth 1.072 trupa mund të jenë ende nën rrënoja.

Një fazë e parë e operacionit ishte zhvilluar nga fundi i nëntorit 2025, gjatë së cilës ekipet e Mbrojtjes Civile punuan për rreth 500 orë. Në atë periudhë u nxorën rreth 333 trupa dhe mbetje mortore, nga rreth 559 persona të raportuar të zhdukur nën rrënojat e 54 shtëpive dhe ndërtesave.

Procesioni i së dielës konsiderohet ndër ceremonitë më të mëdha mortore të zhvilluara në Gaza për nga numri i trupave të përcjellë njëkohësisht. Në fillim të gushtit, një tjetër ceremoni e ngjashme u zhvillua në lagjen Sabra, ku u varrosën 112 palestinezë të nxjerrë nga rrënojat.

Sipas autoriteteve palestineze, në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit, pritej që të lejoheshin në Gaza makineri të rënda dhe pajisje të specializuara për përshpejtimin e operacioneve të kërkimit.

Armëpushimi hyri në fuqi më 10 tetor 2025, pas një periudhe gati dyvjeçare të luftimeve dhe bombardimeve. Sipas autoriteteve palestineze, gjatë kësaj periudhe në Gaza janë vrarë më shumë se 73 mijë palestinezë dhe mbi 174 mijë të tjerë janë plagosur, ndërsa dëmet materiale kanë prekur një pjesë të madhe të infrastrukturës civile.

Shpërndaje