
Kanë kaluar 10 vite nga vrasja e efektivit të Policisë së Shkodrës, Ardian Kodra, i cili humbi jetën gjatë një operacioni policor në Lezhë.
Sot, djali i tij, Arsuid Kodra, i cili ka ndjekur rrugën e të atit duke u bërë pjesë e Policisë së Shkodrës, ka ndarë një mesazh prekës për babain e ndjerë.
Pavarësisht se kanë kaluar 10 vite, Arsuidi shprehet se mungesa e të atit mbetet e njëjtë. Ai tregon edhe për vajzën e tij, e cila nuk pati mundësinë ta njihte gjyshin, por do të rritet duke dëgjuar historinë e tij dhe duke ditur se gjyshi i saj ishte Dëshmor i Atdheut.
Më poshtë, mesazhi i plotë i Arsuid Kodrës:
10 VITE PA TY, BABI😢
Sot bëhen 10 vite që kur ti u ndave nga jeta, babi jone
10 vite kanë kaluar, por mungesa jote nuk është bërë kurrë më e vogël. Ka kaluar koha, kemi vazhduar jetën, por në zemrat tona ka mbetur gjithmonë një vend që vetëm ti e mbushje.
Por sa herë e shof vajzën time, më vjen një mendim në zemër: sa shumë do të doja të ishe këtu për ta mbajtur në krahë.
Ajo nuk pati mundësinë të të njohë, të dëgjojë zërin tënd apo të marrë një përqafim prej teje. Por ajo do të rritet duke e ditur kush ishte gjyshi i saj.
Do t’i tregoj për ty. Do t’i tregoj se ishe një baba i dashur, një njeri i përkushtuar dhe një burrë që e kreu detyrën deri në sakrificën më të madhe.
Do t’i them se gjyshi i saj ishte Ardian Kodra, Dëshmor i Atdheut.
Babi, për ne ti nuk je vetëm një emër në një përkujtimore. Ti je pjesë e çdo dite të jetës sonë. Je në kujtimet tona, në bisedat tona, në gjithçka që na ke lënë pas.
Unë dhe vëllai im do ta mbajmë gjithmonë lart emrin tënd. Nëna do të të mbajë gjithmone në zemrën e saj. Familjet tona do të vazhdojnë të jetojnë me krenarinë që na ke lënë.
Sot, pas 10 vitesh, dhimbja është ende aty, por bashkë me të është edhe krenaria.
Krenaria që të pata baba.
Krenaria që jam djali i Ardian Kodres .
Krenaria që emri yt do të jetojë edhe te brezat që vijnë.
Babi, sot për ty nuk dua të them vetëm “na mungon”.
Dua të them
Faleminderit për gjithçka që na dhe.
Faleminderit për shembullin që na le.
Dhe faleminderit që na mësove, edhe me sakrificën tënde, se çfarë do të thotë të bësh detyrën me nder.
10 vite pa ty, babi.
10 vite mall.
10 vite kujtime.
10 vite dhimbje.
Por mbi të gjitha, 10 vite krenari.
Qofsh i xhenetit Babi jone !
Do të jetosh përherë në zemrat tona dhe emri yt do të përcillet brez pas brezi.🙏😢


