Fushë-Arrëz nën shqetësim: Banorët dyshojnë për ujin e pijshëm, institucionet heshtin…

Shpërndaje

Nga Amir Mehaj

ÇFARË PO NDODH NË FUSHË-ARRËZ?

Ka tre ditë që banorët e Fushë-Arrëzit raportojnë shqetësime shëndetësore dhe dyshojnë se ato mund të jenë të lidhura me ujin e pijshëm, për të cilin pretendojnë se ka pasur erë dhe ndryshime në cilësi.

Ajo që shqetëson më shumë është mungesa e një përgjigjeje të qartë nga institucionet përgjegjëse. Në një situatë të tillë, qytetarët kanë nevojë për transparencë dhe informacion të menjëhershëm: Çfarë ka ndodhur me ujin? A është i sigurt për konsum? A janë bërë analizat dhe cilat janë rezultatet?

Nuk mund të fitohet kohë duke shmangur përgjegjësinë apo duke heshtur. Roli i institucioneve është të reagojnë në kohë dhe të garantojnë sigurinë e shëndetit publik, jo të presin që situata të përshkallëzohet.
Dje banorët flisnin për ujë me erë dhe papastërti, ndërsa sot pretendohet se uji po trajtohet me klor aq sa sërish e ka bër të papërdorshëm. Çfarë ka ndodhur ndërkohë?

Po ashtu, çfarë roli ka Njësia e Kujdesit Shëndetësor në një situatë të tillë? Në raste të ngjashme në të kaluarën, institucionet kanë reaguar. Sot, heshtja vetëm sa shton dyshimet dhe shqetësimin e qytetarëve.
Askush nuk mund të paragjykojë shkakun pa rezultatet e analizave. Por edhe nëse nesër rezulton se bëhet fjalë për një virozë, kjo duhet të thuhet mbi bazën e fakteve dhe analizave, jo përmes heshtjes.
Shëndeti i njerëzve nuk është vend për neglizhencë.
Çfarë fshihet pas kësaj heshtjeje? Përgjigjen ua detyrojnë qytetarëve institucionet përgjegjëse.

Shpërndaje