Britani/ Goditet rrjeti i kokainës dhe kanabisit, disa shqiptarë në pranga…

Shpërndaje

Tetë anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal, që merrej me shpërndarjen e kokainës dhe kanabisit në zonën e Greater Manchester, janë dënuar me burg pas një hetimi të gjerë të autoriteteve britanike.

Vendimi u dha në Gjykatën e Kurorës në Manchester më 3 shtator, në kuadër të operacionit të koduar “Bedham”, të drejtuar nga Njësia Rajonale e Krimit të Organizuar në Veriperëndim të Anglisë (NWROCU).

Sipas hetuesve, grupi kriminal kishte ngritur një rrjet të shpërndarjes së kokainës dhe kanabisit, duke përdorur një grup të besuar shpërndarësish dhe bashkëpunëtorësh.

Të tetë të pandehurit pranuan akuzat lidhur me aktivitetin kriminal.

Roli i anëtarëve të rrjetit

Rezart Balesi, 44 vjeç, banues në Ramsbottom, u cilësua nga policia si një prej anëtarëve të rëndësishëm të grupit. Ai dyshohej se kishte lidhje me biznese të përdorura nga anëtarë të rrjetit. Balesi pranoi akuzën për bashkëpunim në shpërndarjen e drogërave të kategorisë A dhe u dënua me 7 vite e 6 muaj burg.

Refail Balesi, 39 vjeç, banues në Whitefield, u identifikua si një prej personave që drejtonin aktivitetin e përditshëm të rrjetit të drogës. Sipas hetuesve, ai udhëzonte shpërndarësit në terren dhe kontrollonte aktivitetin e tyre. Ai u dënua me 5 vite e 3 muaj burg.

Joshua Balesi, 22 vjeç, banues në Bury, dyshohet se kontrollonte periodikisht linjën e shpërndarjes së drogës dhe drejtonte një linjë të tijën. Ai u dënua me 4 vite burg.

Fatos Vrenezi, 53 vjeç, banues në Bury, u cilësua si një tjetër anëtar i rëndësishëm i grupit. Sipas policisë, ai merrte udhëzime nga drejtuesit për përgatitjen dhe shpërndarjen e drogës. Vrenezi u dënua me 4 vite burg.

Lorenzo Canovi, 48 vjeç, banues në Whitefield, vepronte si shpërndarës në terren. Hetuesit thanë se ai informonte drejtuesit për shitjet, mbledhjen e parave dhe furnizimin me drogë. Ai u dënua me 3 vite e 1 muaj burg.

Fjoraldo Lukaj, 31 vjeç, banues në Hull, ishte një tjetër shpërndarës që kryente dërgesa droge gjatë periudhës së hetuar. Ai u dënua me 3 vite e 6 muaj burg.

Imanuel Lumaj, 30 vjeç, banues në Dagenham, u përshkrua si një anëtar i besuar dhe i rëndësishëm i grupit. Sipas hetuesve, ai shpërndante kokainë dhe mblidhte paratë e përfituara nga shitjet. Lumaj u dënua me 3 vite e 9 muaj burg.

Zbulohet edhe një bazë për kultivimin e kanabisit

Antonino Precaj, 33 vjeç, banues në Barnet, u dënua për përfshirje në prodhimin e kanabisit. Sipas policisë, ai kishte ndihmuar në ngritjen dhe mirëmbajtjen e një ambienti të përdorur për kultivimin e bimëve narkotike.

Precaj u dënua me 2 vite e 3 muaj burg për përfshirje në prodhimin e një droge të kategorisë B, konkretisht kanabisit.

Një tjetër anëtare ishte dënuar në gusht

Një anëtare tjetër e rrjetit, Megi Zaimi, 32 vjeç, ishte dënuar më herët, në muajin gusht.

Ajo pranoi akuzën për bashkëpunim në shpërndarjen e drogërave të kategorisë A dhe u dënua me 2 vite e 1 muaj burg, të pezulluar për dy vite. Gjithashtu, iu kërkua të kryente 10 ditë aktivitete rehabilituese dhe 100 orë punë të papaguar.

Policia: Do të ndjekim pa pushim grupet kriminale

Inspektori detektiv Michael Robinson, nga NWROCU, tha se hetimi kishte qenë i gjatë dhe kompleks, por kishte çuar në shkatërrimin e një grupi të rëndësishëm kriminal.

“Ky ishte një hetim i gjatë dhe kompleks, por rezultatet flasin vetë. Pas muajsh pune, oficerët arritën të çmontonin një grup të rëndësishëm të krimit të organizuar që po shkaktonte dëme të konsiderueshme në komunitetet tona”, deklaroi ai.

Ai paralajmëroi gjithashtu personat që merren me shpërndarjen e drogës se autoritetet do të vijojnë goditjen ndaj tyre.

Tetë dënimet me burg të dhëna më 3 shtator arrijnë në më shumë se 33 vite burg në total.

Shpërndaje