
Fermerët e shpallur fitues në fazën e parë të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi do të kenë më shumë kohë për të plotësuar dokumentacionin e kërkuar.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ka shtyrë deri më 10 shtator afatin për dorëzimin e dokumentacionit nga fermerët fitues. Vendimi synon t’u japë aplikantëve kohë shtesë për plotësimin e dokumenteve dhe verifikimin e kushteve për përfitimin e mbështetjes.
Në rajonin e Shkodrës interesi për skemën ka qenë i lartë. Sipas specialistëve të bujqësisë, në 9 masat e skemës direkte në rajonin verior kanë aplikuar rreth 6 400 fermerë.
Skema Kombëtare e këtij viti përfshin në total 12 masa mbështetëse, të cilat synojnë uljen e kostove të prodhimit, rritjen e cilësisë dhe modernizimin e sektorit bujqësor.
Specialistët e bujqësisë në Shkodër u bëjnë thirrje fermerëve që të shfrytëzojnë mundësinë e ofruar nga skema dhe të përfitojnë nga masat mbështetëse, duke dorëzuar dokumentacionin brenda afatit të ri, më 10 shtator.






