
Vrasja e 65-vjeçarit Viktor (Marku) Bardhi, mëngjesin e së enjtes në fshatin Ndërfushas të Mirditës, vijon të mbetet pa autor. Policia, nen drejtimin e Prokurorisë se Lezhës, ka kryer njesere veprimesh pergjate 24 oreve, por deri tani pa mundur të zbardhë rrethanat dhe autorësinë e ngjarjes. Burimet bëjnë me dije se rreth 10 persona janë shoqëruar dhe marrë në pyetje nga grupi hetimor dhe pas dhënies së dëshmive, ata janë lënë të lirë, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar personat që mund të kenë dijeni apo lidhje me vrasjen. Një prej vështirësive kryesore për hetuesit është mungesa e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi vrasja.
Për këtë arsye, grupi hetimor po analizon pamjet filmike të kamerave në hyrje të qytetit të Rrëshenit, si dhe përgjatë aksit të Rrugës së Kombit, me qëllim identifikimin e lëvizjeve të automjeteve të dyshuara. Nga të dhënat paraprake të hetimit, autorët dyshohet se kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe janë përpjekur të mos lënë gjurmë. Ndërkohë, një nga pistat kryesore që po hetohet është ajo e një konflikti të hershëm dhe hakmarrjes mes fiseve në Mirditë, ku në harkun kohor të tre viteve janë vrarë tre anëtarë të fisit Bardhi, çka ka bërë që hetuesit të fokusohen edhe në këtë pistë për zbardhjen e motivit të vrasjes së fundit.
Viktima, Viktor (Marku) Bardhi, u qëllua me armë zjarri rreth 1 kilometër larg banesës së tij në Ndërfushas. 65-vjeçari ishte punonjës i Ujësjellësit të Mirditës dhe kishte dalë nga banesa për të hapur furnizimin me ujë të pijshëm në zonë. Pavarësisht konfliktit të mëparshëm mes familjeve, 65-vjeçari vijonte të lëvizte i lirë dhe nuk kishte masa të veçanta mbrojtjeje.






