
Në Shkodër, dita fushore e misrit bëri bashkë Ministrin e Bujqësisë, Andis Salla, Ministrin e Infrastrukturës, Enea Karakaçi, përfaqësues të pushtetit vendor, fermerë, agronomë dhe specialistë të kulturës së misrit nga i gjithë veriu i vendit.
Në fokus të aktivitetit ishte prezantimi i varieteteve dhe teknologjive të reja për rritjen e prodhimtarisë dhe përshtatjen e kulturës së misrit me kushtet klimatike vendase. Qendra Shkencore e Transferimit të Teknologjive Bujqësore prezantoi 66 hibride të misrit dhe varietete për silazh, të cilat premtojnë rendimente më të larta dhe përshtatje më të mirë ndaj kushteve të ndryshueshme klimatike.
Aktualisht, Qarku i Shkodrës renditet ndër zonat me prodhimtarinë më të lartë të misrit në vend. Mbi 5 mijë hektarë tokë në këtë qark janë të mbjella me këtë kulturë, duke e bërë misrin një prej produkteve të rëndësishme për bujqësinë dhe ekonominë e fermerëve të zonës.






