
Një zjarr ka përfshirë katin e katërt të një hoteli në zonën turistike të Velipojës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Fatmirësisht, ngjarja nuk ka shkaktuar persona të lënduar.
Sipas të dhënave të bëra me dije nga shefi i Policisë së Velipojës, në momentin e rënies së zjarrit hoteli nuk kishte pushues. Në ambientet e objektit ndodhej vetëm pronarja, e cila po kryente punime pastrimi dhe ka mundur të largohet në kohë.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet zjarrfikëse kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke ndërhyrë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Falë ndërhyrjes së shpejtë, zjarri është vënë nën kontroll dhe është shuar plotësisht.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për përcaktimin e shkakut të zjarrit, ndërsa vijojnë verifikimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.






