Partia Socialiste ka nisur në të gjithë vendin turin e takimeve me qytetarët, të pagëzuar “Prania Besnike”, një nismë që synon forcimin e komunikimit me bazën dhe njohjen nga afër me problematikat dhe shqetësimet e komuniteteve.

Në Shkodër, takimi i parë i këtij turi u zhvillua në selinë e Partisë Socialiste, ku për herë të parë pas një periudhe të gjatë u mblodhën së bashku deputetët socialistë, kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, drejtuesit lokalë të partisë, si dhe drejtuesi politik i PS-së për qarkun Shkodër, Enea Karakaçi.

Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura dhe pa praninë e gazetarëve. Udhëzimet për aktivitetin politik në vijim kanë qenë të qarta: deputetët do të shtrihen në të gjithë territorin e qarkut, përmes takimeve me qytetarët, larg kamerave dhe në një format më të drejtpërdrejtë komunikimi.

Pas takimit, drejtuesi politik i PS-së për Shkodrën, Enea Karakaçi, përmes një postimi në rrjetet sociale, bëri të ditur nisjen e këtij angazhimi.

Takimet e deputetëve socialistë kanë nisur këtë të shtunë në Shkodër dhe Malësinë e Madhe, ndërsa në ditët në vijim pritet të shtrihen në të gjithë territorin e qarkut.

Për socialistët, kjo nismë shënon edhe intensifikimin e aktivitetit politik në terren në prag të zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm. Objektivi kryesor i PS-së në Shkodër mbetet ruajtja e drejtimit të bashkisë, e cila për dekada ka qenë një prej bastioneve tradicionale të Partisë Demokratike.

Me “Praninë Besnike”, socialistët synojnë të forcojnë kontaktin me qytetarët dhe strukturat lokale, përmes një formule komunikimi të drejtpërdrejtë dhe larg vëmendjes së kamerave.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakBESËLIDHJA E LEZHËS SYNON SUPERLIGËN
Artikulli tjetërFLAKËT PËRFSHIJNË HOTELIN NË VELIPOJË