
Ramadani me paralajmërim të fortë: Askush nuk ka interesim të investojë në një vend që nuk ka stabilitet
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar për ditën e nëntë të bllokadës institucionale, duke kritikuar mungesën e stabilitetit politik dhe pasojat e saj në ekonomi dhe investime të huaja.
Ramadani ka thënë se, derisa Kuvendi dhe Kosova janë thelluar në një bllokadë të re, investimet e huaja direkte janë shndërruar në një temë të harruar.
“Askush nuk ka interesim të investojë në një vend që nuk ka stabilitet. Kompanitë e mëdha evropiane e botërore po hapin degët e tyre në rajonin tonë, por jo në Kosovë”, ka deklaruar Ramadani.
Sipas tij, fqinjët e Kosovës kanë avancuar ndjeshëm në aspektin ekonomik, ndërsa Kosova ka mbetur në stagnim.
“Fqinjët na janë larguar tashmë disafish në nivelin e ekonomisë, vetëm ne kemi mbetur në stagnim, rrjedhimisht në dobësim”, është shprehur ai.
Ramadani ka akuzuar Vetëvendosjen se po pamundëson konstituimin e Kuvendit, duke bllokuar kështu edhe krijimin e Qeverisë së re.
“Vetëvendosje ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit. Kështu ka bllokuar Qeverinë e re, për të cilën Kuvendi do të mbante kontrollin dhe kërkonte përgjegjësi e llogaridhënie për politikat e saj”, ka thënë deputeti i Aleancës.
Ndryshe, vazhdimi i seancës konstituive është ndërprerë më 8 gusht me kërkesë të kreut të LVV-së, Albin Kurti dhe pas ekskalimit të situatës në seancë gjatë gjuajtjes me vezë Albin Kurtin nga deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja mori 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7.

Më të fundit
Të gjitha →
Aleanca zhvillon nesër aktivitet simbolik para Kuvendit

Diell apo shi? Ky është parashikimi i motit për javën tjetër

Banka Evropiane e Investimeve “dizajnon” euron e së ardhmes






