Siguria në shkolla me nisjen e vitit të ri mësimor, lufta kundër armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve, si edhe trajtimi i denoncimeve të qytetarëve, ishin në fokus të takimeve që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, zhvilloi me drejtuesit e Policisë në Elbasan, Berat dhe Kukës.
Gjatë takimeve me strukturat vendore, Hita kërkoi rritjen e parametrave të sigurisë dhe forcimin e masave për parandalimin e ngjarjeve kriminale. Ai kërkoi ndjekjen në kohë reale të konflikteve dhe denoncimeve të qytetarëve, identifikimin dhe arrestimin e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo merren me veprimtari në fushën e narkotikëve, si dhe kapjen e personave në kërkim.
Në porositë e tij u përfshi edhe parandalimi i krimeve mjedisore, ndërsa Hita kërkoi që komunikimi i punonjësve të Policisë me qytetarët të jetë gjithmonë etik dhe profesional.
Një pjesë e rëndësishme e takimeve iu kushtua sigurisë në shkolla, të cilën Drejtori i Përgjithshëm e cilësoi si prioritetin kryesor të Policisë së Shtetit.
Me nisjen e vitit të ri mësimor, Hita kërkoi angazhim maksimal të shërbimeve të Policisë, në bashkëpunim me oficerët e sigurisë në shkolla, për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe zhvillimin normal të procesit mësimor.
Ai u kërkoi shefave të komisariateve që ta ndjekin çdo ditë këtë prioritet dhe të trajtojnë personalisht çdo shqetësim të ngritur nga drejtuesit e shkollave që lidhet me sigurinë e nxënësve.
Sipas porosive të dhëna, Sektorët e Narkotikëve, forcat “Shqiponja” dhe strukturat operacionale do të përqendrohen në perimetrin e sigurisë së shkollave, me qëllim parandalimin e çdo tentative për shpërndarjen e lëndëve narkotike apo përfshirjen e nxënësve në konflikte.
Në drejtim të sigurisë rrugore, Hita kërkoi intensifikimin e monitorimit të qarkullimit, përfshirë përdorimin e mjeteve inteligjente, me synim parandalimin e aksidenteve dhe ndërhyrjen e menjëhershme ndaj çdo shkeljeje të konstatuar.
Drejtori i Përgjithshëm kërkoi gjithashtu që çdo drejtues policie të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për situatën e sigurisë në territorin që mbulon, duke ndjekur nga afër problematikat dhe duke garantuar reagim të shpejtë e profesional ndaj shqetësimeve të qytetarëve.
Në përfundim, Hita u bëri thirrje shefave të komisariateve dhe drejtorëve të qarqeve që të presin qytetarët, t’i dëgjojnë për çdo problem që lidhet me punën e Policisë dhe të angazhohen për zgjidhjen e tyre.
Hita theksoi se edhe ai vetë pret çdo qytetar që kërkon një takim.


