Aktori turk Serhat Mustafa Kılıç, 51 vjeç, është gjetur pa shenja jete në apartamentin e tij në lagjen Kağıthane të Stambollit.
Rrethanat e vdekjes së aktorit ende nuk janë bërë të qarta, ndërsa shkaku i saktë i ndarjes së tij nga jeta nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Sipas mediave turke, Kılıç u gjet i pajetë në dhomën e ndenjes, pasi e dashura e tij ishte shqetësuar për faktin se nuk kishte mundur të kontaktonte me të prej disa ditësh. Ajo e gjeti të shtrirë në divan dhe njoftoi menjëherë policinë dhe ekipet mjekësore, të cilat konfirmuan vdekjen.
E dashura e aktorit u ka deklaruar autoriteteve se Kılıç vuante nga limfoma. Disa media turke raportojnë gjithashtu se ai kishte probleme me gjëndrën tiroide. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar se ndonjë prej këtyre problemeve shëndetësore ka shkaktuar vdekjen.
Hetuesit kanë vënë re gjithashtu disa mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit, përfshirë zonën rreth syve, krahët dhe këmbët. Sipas informacioneve të publikuara deri tani, nuk janë konstatuar plagë të hapura, prerje apo shenja të qarta dhune.
Gjatë kontrollit të apartamentit, policia raportohet se ka gjetur shishe me alkool, si dhe letër të njohur si “çarşaf”, e cila përdoret në disa raste për mbështjelljen e cigareve me substanca të ndaluara. Disa burime kanë pretenduar gjithashtu se në banesë janë gjetur substanca narkotike.
Mediat turke raportojnë se aktori kishte konsumuar sasi të konsiderueshme alkooli kohët e fundit. Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë konfirmuar nëse alkooli apo substancat e gjetura kanë pasur ndonjë rol në vdekjen e tij.
Pritet që ekzaminimet mjekoligjore dhe rezultatet e autopsisë të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes.
Serhat Mustafa Kılıç ishte i njohur për publikun turk edhe për rolet e tij në produksione televizive, përfshirë serialin e njohur “Ezel”.
#SerhatMustafaKilic #Ezel #Turqi #Stamboll #Aktori #Lajme #Showbiz


