Një 22-vjeçar shqiptar është arrestuar në Treviglio të Italisë, pasi ka plagosur rëndë me thikë një 35-vjeçar maroken. Ngjarja ka ndodhur të enjten në mbrëmje, në zonën pranë stacionit të trenit.
Sipas prokurorisë, konflikti mes dy burrave dyshohet se lidhej me të dashurën e marokenit. Të dy kishin zbritur nga i njëjti tren rreth orës 22:00, ndërsa në stacion ndodheshin edhe dy miq të të plagosurit. Debati mes tyre u përshkallëzua shpejt.
Sipas dëshmive, shqiptari bërtiste: “Ju vras more marokenë, ju vras!”. Më herët, 35-vjeçari dyshohet se e kishte kërcënuar shqiptarin me një thikë të madhe kuzhine në nënkalimin e stacionit.
Përplasja vijoi më pas në një parkim në bulevardin Vittorio Veneto, pranë xhamisë. Sipas dëshmitarëve, 22-vjeçari, i armatosur me dy thika, ndoqi marokenin dhe e goditi në krah dhe në mes të shpinës.
I plagosuri u transportua në spitalin e Treviglios në gjendje të rëndë. Gjendja e tij më pas u stabilizua, por ai vijon të jetë i shtruar me prognozë të rezervuar.
Karabinierët arrestuan 22-vjeçarin po atë mbrëmje dhe sekuestruan një nga armët e përdorura në sulm. I riu ka pranuar se e ka goditur 35-vjeçarin, por ka pretenduar se ka vepruar në vetëmbrojtje.
Të hënën, ai pritet të dalë para gjyqtarit të hetimeve paraprake, i cili do të vendosë për masën e sigurisë.


