Policia e Sarandës ka finalizuar të shtunën një operacion antidrogë, gjatë të cilit janë ekzekutuar të gjitha masat e sigurisë të miratuara nga gjykata.
Sipas burimeve të Report TV, të gjithë personat ndaj të cilëve ishin caktuar masat janë arrestuar dhe dyshohen për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar edhe dy pistoleta, si dhe një sasi e konsiderueshme hashashi dhe kokaine, që dyshohet se ishin përgatitur për shitje.
Burimet bëjnë me dije se personat e dyshuar për shpërndarjen e drogës vepronin kryesisht në shëtitoren e Sarandës, ku kërkonin blerës dhe synonin veçanërisht turistët.
Mes të arrestuarve është edhe një emër i njohur në qytet, i cili prej vitesh dyshohet se merrej me aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes së drogës.
Në kuadër të të njëjtit hetim, pak kohë më parë janë arrestuar edhe tre persona të tjerë, të cilëve u janë gjetur sasi të konsiderueshme kokaine.
Hetimet për rastin vijojnë.


